Rama mori sot nga Presidenti francez titullin e lartë “Komandant i Legjionit te Nderit”.
Legjioni i Nderit është dekorata më e lartë që jepet në Francë. Ajo është krijuar nga Napoleon Bonaparti në maj të viti 1802 dhe për herë të parë ajo është dhënë në 15 qershor të 1804-ës.
Medalja jepet për trimëri në veprimet ushtarake ose për shërbim ushtarak 20-vjeçar të dalluar, por edhe në rastet e civilëve, kur puna e tyre rrit reputacionin e Francës përmes studimeve, arteve, shkencave, politikës etj.
Në medaljen e titullit është koka e Napoleonit, ndërsa nga mbrapa shkruhet motoja “HONNEUR” (nder). Urdhri është dekorimi më i lartë në Francë dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme:
Chevalier (kalorës), Officier (oficer), Commandeur (komandant), Grand Officier (oficer i madh) dhe Grand’Croix (Kryqi i madh).
Me titullin “Kalorës” janë vlerësuar edhe shkrimtari i madh, Ismail Kadare dhe përkthyesi i mirënjohur, Jusuf Vrioni.
Gjithsej janë 3,009 persona që e kanë marrë këtë urdhër të lartë (komandant).
Kryeministri Edi Rama u nderua nga Presidenti francez Fransua Holland.
Ky dekorim krejt surprizë u krye jashtë kushteve normale të reciprocitetit, gjë shumë e rrallë në protokollin e Presidencës Franceze që në rastin e figurave shtetërore akordohet vetëm si njohje meritash të veçanta. Pikërisht për meritat e posaçme në forcimin e marrëdhënieve franko-shqiptare dhe politikën rajonale të Edi Ramës, si edhe për një inkurajim personal për Kryeministrin shqiptar në dinamikën euro-integruese të Shqipërisë e në drejtimin e duhur të nisur 4 vite më parë, Presidenti i Francës ka vendosur t’i akordojë shefit të ekzekutivit shqiptar titullin e lartë.
Edi Rama është i pari Kryeministër shqiptar që nderohet me këtë dekoratë që nga vitet ’30 dhe i vetmi që dekorohet jashtë kushteve të reciprocitetit, me iniciativë të vetë Presidentit francez.
“Dëshiroj të përfitoj nga ky rast për t’ju shprehur, Zoti Kryeministër, në emër të Presidentit të Republikës dhe në emrin tim personal, vlerësimin dhe mirënjohjen tonë të gjithanshme për rolin që ju keni luajtur në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis Francës dhe vendit tuaj”, tha Cazeneuve.
Ai kujtoi praninë e zotit Rama gjatë manifestimit të 11 janarit 2015, në krah të popullit francez, duke valëvitur, në homazh të karikaturistëve të vrarë disa ditë më parë të “Charlie Hebdo-së”, lapsat me ngjyrën blu, të bardhë e të kuqe.
“Përmes këtij simboli, ju shprehnit, si prirjen tuaj të dyfishtë prej artisti dhe politikani të angazhuar, ashtu edhe marrëdhënien vetjake që ju lidh me vendin, me gjuhën dhe me kulturën tonë”, tha kryeministri francez.
Cazeneuve çmoi lart personalitetin e zotit Rama si artist, kryebashkiak i Tiranës dhe kryeministër i Shqipërisë, kontributin e tij kudo dhe raportet e tij me Francën.
“Ju jeni një mik i madh i Francës. I bindur për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, ju keni mbështetur gjithmonë projektet ekonomike dhe kulturore që kanë kontribuar në këtë afrim. E di që tashmë ato janë të shumta, duke filluar me Trans-Adriatic Pipeline, këtë projekt madhor infrastrukture, realizimi i të cilit iu besua vitin e shkuar një sipërmarrjeje franceze” tha zoti Cazeneuve.
Më tej zoti Cazeneuve nënvizoi se “… Franca ju është mirënjohëse për rolin aktiv që ju luani në favor të paqes dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit”. (M.D/ Shuplaka)