Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të deputetit të PD-së Gent Stazimiri se u provua që anëtari i gjykatës së Lartë Ardian Dvorani nuk justifikonte 99 milionë lekë, por u mor në mbrojtje nga KPK-ja.
“Dvorani që njihet si çanta e shpinës së Xhafës u mor në mbrojtje nga KPK-ja, pavarësisht se ai nuk justifikonte 99 milionë lekë. Në një rast të paprecedentë KPK-ja përmbysi raportin e ILDKP-së me argumentin se harroi të plotësonte një fletë. Vettingu duhet ta shkarkonte që sot Dvoranin. Mandati i tij ka mbaruar që para 4 vjetësh” tha Strazimiri.
“Pse gjithë kjo sakrificë për Dvoranin? Është prokuror i Partisë së Punës. Ai është ideatori i çdo vendimi të marrë ndaj opozitës gjatë qeverisjes së majtë. Dvorani do e kalojë vettingun, megjithëse nuk justifikon pasurinë” u shpreh Strazimiri.
Ndërkohë pak minuta më vonë Kryeministri Rama në një status në Facebook shkruajti se Vetingu po vepron në pavarësi të plotë e monitorim ndërkombëtar.
“Vetingu po vepron në pavarësi të plotë e monitorim ndërkombëtar.Fletërrufetë kundër Vetingut janë dëshpërimi i atyre që e mbushën me llum Pallatin e Drejtësisë!Loja mbaroi.Gjykatat e sipërme do pastrohen deri në fund e do ringrihen për ta bërë më në fund drejtësinë Drejtësi” shkruan Rama.
(M.Q/Faxweb)