Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ndodhet sot në Fier, ku po prezanton arritjet kyçe në prodhimin dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, investimet e realizuara në këtë sektor, si dhe objektivat afatgjata për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030.
Në këtë takim, i cili zhvillohet edhe në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryesocialisti Rama shoqërohet nga zv.kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi drejtuese politike e PS për qarkun Fier, Belinda Balluku.
Në nisje të fjalës së saj, ministrja Balluku theksoi se objektivi është që Shqipëria të jetë eksportuese neto e energjisë brenda vitit 2030. Për të arritur këtë qëllim, ajo tha se është punuar jo vetëm për të përmirësuar burimet ekzistuese të energjisë, por është investuar për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë, ndërsa nënvizoi dhe bashkëpunimin me investues të rëndësishëm ndërkombëtarë. “Projekti i Karavastasë në këtë drejtim është një model për t’u ndjekur. Tani po presim rezultatet e para nga Spitalla”, tha ajo.
Balluku shtoi se kanë nisur hapat e para të linjës së interkoneksionit me Italinë. “Kjo falë edhe marrëveshjes trepalëshe Shqipëri-Itali-Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo linjë është e vërtetë e vendit tonë me tregun e BE, Italinë, Francën…etj”.
Balluku tha se falë mirë-menaxhimit të sektorit të energjisë sollëm dhe uljen e tarifave të energjisë. Ajo prezantoi dhe shifrat e rritjes së prodhimit të energjisë, ku në 2025-ën, sipas Ballukut prodhimi vjetor i energjisë pritet të ketë një rritje me 60% në krahasim me vitin 2013, ndërsa për vitin 2030, kjo rritje është parashikuar të jetë 135%.
Kreu i qeverisë Rama tha se është dyfishuar prodhimi i energjisë në Shqipëri. Sipas tij, prodhimin “e gjetëm vetëm hidro, ndërsa e diversifikuam”. “Sot 10% e prodhimit vjen nga energjia diellore”, tha Rama. “Do të kemi fatin të kemi në Shqipëri projektin për sistemin e pompimit të ujit. Besoj që kemi të gjitha arsyet të mendojmë që pavarësia e plotë energjetike e Shqipërisë është afër”, tha Rama.
Sipas tij është duke u realizuar dhe është shumë pranë kalimit të Shqipërisë nga një vend në hall me prodhimin e energjisë në një vend eksportues Neto të energjisë. “Brenda kësaj dekade, Shqipëria totalisht e pavarur nga çdo Zhvillim i jashtëm në raport me prodhimin e energjisë, duke kaluar në eksport neto”. Rama vuri në dukje se edhe rrjeti transmetimit është transformuar. “qershia mbi tortë linja e interkoneksionit me Italinë”, shtoi Rama.