Kryeministri Rama flet për herë të parë hapur, lidhur me situatën e krijuar në koalicion me partinë e Ilir Metës.
Sipas burimeve të brendshme për “Top Channel”, Rama është shprehur se LSI po luan me taktika.
“LSI po luan taktikisht dhe është në të drejtën e saj ta bëjë këtë. Por pozicioni ynë, nuk ndryshon dhe ne nuk e kthejmë në një çështje taktike këtë partneritet strategjik. Natyrisht, LSI mund të vendosë të dalë vetëm, por kjo s’është arsye për t’u shpërqëndruar nga objektivi ynë.”, tha Rama.
Mësohet që në mbledhjen e Kryesisë socialiste, kryeminitri ka dhënë një përgjigje mbi deklaratat e Metës për shifrën e 71 votave.
Sipas Edi Ramës, me votat e vitit 2013 dhe ndarjen aktuale të mandateve, “Partia Socialiste merr 69 deputetë po të jemi në koalicion me LSI, PDIU, FRD”.
Megjithatë, nëse LSI del më vete, sipas Ramës koalicioni merr plot 71 deputetë, pasi sipas tij e tillë është formula.
Aleanca me LSI-në sipas Ramës krijon një mazhorancë solide reformash, jo thjesht një mazhorancë numrash. Madje ai shton se reformat e jo numrat janë arsyet e koalicionit me Metën.