Kryeministri Edi Rama ishte sot në fshatin e Tamarë, aty ku është krijuar qendra për shpërndarjen e ndihmave për banorët e bllokuar nga dëbora në Malësinë e Kelmendit, për të inspektuar zhvillimin e këtij procesi.
Rama e pranoi që vështirësitë kanë qenë të mëdha, por sipas tij mirëkoordinimi i strukturave të shtetit ka bërë të mundur që shpërndarja e ndihmave të bëhet në kohë.
“Strukturat e shtetit kanë qenë të organizuara si asnjëherë tjetër dhe të koordinuara si asnjëherë tjetër. E faktikisht janë mbi 110 ton ndihma që janë shpërndarë në kohë reale, aty ku ka qenë nevoja. Edhe në zonën e Vermoshit që ka qenë nga zonat me vështirësi më të madhe, por dhe në zona të tjera, ndihmat kanë shkuar edhe me helikopterë dhe me mjete të tjera.”, u shpreh Kryeministri.
Ndërkohë, Rama foli edhe për investimet që ka nisur OSHEE në rrjetin e energjisë elektrike, të cilat sipas tij kanë bërë të mundur që në këtë zonë vit të shënohen ndërprerje të pakta të energjisë elektrike.
“Pavarësisht vështirësive të mëdha të krijuara nga moti, ka qenë viti me më pak ndërprerje të energjisë elektrikë në 25 vjet, si pasojë e punës së jashtëzakonshme që ka bërë OSHEE, sidomos në zonat më të vështira. Nga ana tjetër, ne do vazhdojmë të bëjmë investimi në rrjetin e shpërndarjes. Investimet kanë filluar, por sigurisht që duan kohën e vet që të shtrihen në gjithë territorin. Jam i vetëdijshëm që edhe këtu ka nevojë për të bërë investime për rrjetin e energjisë, në mënyrë që të mos ketë ndërprerje sapo ka një problem me borën apo me erën.”, tha Rama.
Rama shtoi se problemi i linjave të amortizuara do zgjidhet plotësisht pasi po investohet për krijimin e linjës së re.
Kryeministri Rama garantoi gjithashtu se do të nisë menjëherë ndërtimi i një shkolle të re në këtë zonë, sapo bashkia të përfundojë projektin. (D.D/Shuplaka)