Thuajse në çdo dalje të fundit, sidomos pas nisjes së protestave në vend, ajo e demokratëve përballë zyrës së tij dhe e protestuesve të Zharrëzës në qendër të Tiranës, kryeministri Edi Rama ka shpeshtuar deklaratat e tij rreth Reformës në Drejtësi dhe ”Vettingut”.
””Vettingu” është sot fjala më e përdorur në Gjuhën Shqipe, Reforma në Drejtësi nuk është një fjalë goje”, ka thënë Rama nga Shkodra.
”Për çfarë na duhet qeveria teknike?! Ne na duhet Vettingu!”, ka theksuar më tej kryeministri.
”Imagjinoni të shkosh te gjykatësi të thuash do ndahem nga burri dhe ai të të nxjerrë me 5 burra, kam ardhur këtu të marr shtëpinë dhe gjykata të japë shtëpitë e vjehrrave të lagjes.
Dhe për këtë arsye Reforma në Drejtësi nuk është një fjalë goje, po Reforma në Drejtësi dhe Vettingu që është sot fjala më e përdorur në gjuhën shqipe këtu në Shqipëri janë instrumente të pazëvendsësuehsme për të rritur punësimin dhe zhvilluar Shqipërinë.”, ka argumentuar Rama.
Rama iu është përgjigjur edhe akuzave që qarkullojnë në opinionin publik se po liron kriminelët.
”Reforma u votua nga 140 deputetë. Për herë të parë në 25 vite opozita ka gjysmë përgjysmë përgjegjësi në zgjedhjen e organeve të Vettingut. 6 anëtarë i zgjedh shumica, 6 i zgjedh opozita.
Iu themi gjykatësve, trego që 7 shtëpitë që ke i ke ndërtuar në mënyrë të ndershme. Nuk mund të vazhdojnë historitë ku gjyqtarët të thonë që këta ma dhuroi kushëriri, vjehrra apo i afërmi nga Australia.
Të provojë edhe që është i aftë nga mendja. Këtë gjë do të bëjë Vettingu. Për ata që nuk e kalojnë këtë test, mesazhi është i qartë. Nuk keni më punë që të mbani çekiçin në dorë dhe duhet të japin llogari para ligjit. Tani mund të më thoni ç’lidhje ka kjo me Partitë Politike.
Ç’lidhje ka kjo me fjalët se ne duam të lirojmë kriminelët?! Nëse ka një problem me kriminelët është prej korruptimit të prokurorve dhe gjykatësve. Ne të majtë e të djathë duhet të zgjedhim këta 6 njerëz. Nëse ka një njeri që të më thojë mua këtu se në Gjykatën e Shkodrës nuk po ndodh asnjë shkelje e ligjit unë nuk e di.”, tha më tej kryeministri.
Rama vazhdoi më tej duke thënë se tani po punon dhe gjykata e Vlorës, Tiranës, e Apelit.
”E mendoni ju se ç’ndodh në Shqipëri me njerëzit e varfër. E ç’na duhet ne qeveria teknike. Para pak ditësh një njeri i dënuar për kontrabandë në dogana kërkon që me vendim gjykate të kthehet në punë.
Ka dhjetra raste të tilla, dhe kur kthehet nga gjykata ka vetëm dy mundësi ose ta rikthesh në punë ose t’i paguash rrogën. E di sa njerëz mbahen sot me rrogë se janë larguar nga puna për korrupsion. Pse? Sepse gjykatësi iu jep të drejtë këtyre personave. Duhet t’i japim fund kësaj, ndryshe nuk e bëjmë dot Shqipërinë të denjë për gjeneratën tjetër. Nëse kjo do të ishte bërë para 20 vjetësh, sot do të kishim një tjetër perspektivë. Po e ndërpres përpara se të fillojnë psherëtimet tuaja duke thënë se ‘’boll se do hamë drekën’’”, përfundoi Rama. (V.G/SHUPLAKA)