Ish-ministri Saimir Tahiri ka folur mbrëmjen e së premtes në emisionin “Java në RTSH” ku ka komentuar edhe një herë përballjen e tij me drejtësinë.
Përmes një lidhje telefonike me panelin e analistëve Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, ish-ministri tha se do të jetë i qetë kur e gjithë historia do të përfundojë.
Ai u shpreh se do të luftojë me të gjitha mundësitë për të arritur tek e vërteta e tij.
I pyetur nëse nesër pritet të publikojë materiale kompromentuese për ish-kolegët e tij socialiste, ish-ministri i Punëve të Brendshme tha:
“Është fyese të mendohet se unë shantazhoj njerëz me materiale. Sikurse është fyere të mendosh se ish-kolegët e mi paskan diçka për t’i shantazhuar. Drejtësia ime nuk kalon nëpër skuta” – tha Saimir Tahiri.
Ai tha se qysh në krye të herës është përballur si qytetar me akuzat dhe se nuk kërkon mbështetjen e askujt nga kampi politik.
“Për shefin e Elisës dhe ish-shefin tuaj, ndërkohë që jepej vendimi, ai njoftonte një garë me makina, ndërkohë që ju bënit garën e jetës?”
Tahiri: Edhe kush e fitoi garën? Garën me makina po flas. S’kam asnjë përgjigje për t’i dhënë zotit Rama. Unë e kam punën me drejtësinë.