Kreu i opozitës Lulzim Basha, si shkaktar të krizës në vend fajëson kryeministrin Edi Rama. Në një reagim në profilin e tij në Facebook, Basha shprehet se shkaqet e krizës gjenden tek futja e kriminelëve në politikë, apo te kthimi i vendit në hambar droge.
“Shkaqet e krizës ku gjendet vendi janë tek politika e dështuar e Edi Ramës, tek futja e kriminelëve në politikë, tek kthimi i vendit në hambar droge, tek grabitja e çdo pasurie publike dhe mosmbajtja e asnjë premtimi. Në 3 vite e gjysëm ne e kemi bërë betejë tonë kundër kësaj politike shkatërruese, e kemi bërë në Kuvend, në komunikimet publike, në media, në kancelaritë e huaja. E kam bërë unë, grupi ynë parlamentar, aleatët tanë opozitarë. E kanë bërë edhe njerëzit e vlerave, intelektualët, akademikët, gazetarët e lirë, dhe mijëra qytetarë të thjeshtë. Por në 3 vite e gjysëm të kësaj beteje nuk është arritur dot as një e dhjeta e asaj që qytetarët e bashkuar arritën në 81 ditë qëndresë.”, shkruan Basha.
Ndër të tjera, lideri i Partisë Demokratike deklaron se kryeministri nuk e njeh gjuhën e argumentimit, apo forcën e arsyes, por vetëm imponimin.
“Mësimi është i qartë, përfundimi është i thjeshtë për këdo që do të shohë dhe të kuptojë të vërtetën. Edi Rama nuk e njeh gjuhën e argumentimit, nuk e njeh forcën e arsyes. Ai njeh dhe mund të respektojë vetëm imponimin nga bashkimi qytetar dhe popullor përmes protestës, përmes manifestimeve, përmes mosbindjes civile, përmes betejës totale për zgjedhje të lira e të ndershme. Ndaj sot ne përsërisim këmbënguljen tonë për të vazhduar betejën tonë deri në fitoren totale të kësaj kauze. Manifestimi dhe bashkimi më i madh në historinë e Shqipërisë demokratike, të shtunën në orën 12, tani është axhenda dhe kauza e çdo qytetari.”, vazhdon më tej Basha. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post