Gazeta “Mapo” e gazetarit Henri Çili, e njohur për vijën editoriale pro qeverisë Rama, duket se ka ndryshuar qëndrim.
Prej disa javësh, “Mapo” publikon në mënyrë sporadike shkrime kritike ndaj qeverisë.
Së fundmi, lidhur me çështjen e tarifës së vendosur në Rrugën e Kombit, gazeta Mapo në një shkrim të fundit, të shkruar nga Ervis Iljazaj, drejtues i gazetës, thekson se kryeministri Edi Rama nuk është një diktator, por një amator.
Mes të tjerash, Iljazaj shkruan: ”Në fakt, politika e kohës së fundit të Edi Ramës, nuk është as diktaturë, dhe as regjim totalitar, është thjesht një politikë amatore në shumë aspekte, sidomos në politikat fiskale dhe ekonomike. Ndërkohë që, Edi Rama, është një lider i cili nuk ka asnjë bindje autentike, ideologjike, apo ide politike të cilën e zbaton në qeverisjen e tij. Kjo mënyrë ka bërë që qeverisja ekonomie e vendit, pa një vizion të caktuar, apo pa një plan afatgjatë apo model zhvillimi, të kthehet në një politikë amatore dhe të ndikojë negativisht të zhvillimi i vendit.”
Ende nuk janë të qarta motivet pse “Mapo” ka ndryshuar qëndrim, por kjo nuk është hera e parë që ndodh.
Henri Çili, një mbrojtës i flaktë i politikave të Berishës në 2013, deklaronte se Berishës i duhej dhënë dhe një mandat i tretë.
Sapo Rama mori pushtetin, Henri Çili u katapultua shumë afër të majtës, ithtar i politikave koncesionare.
Pa harruar deklaratën e tij, pak para fushatës zgjedhore 2017, se Rama duhet të merrte dhe një mandat të dytë për të qeverisur shqiptarët.
(F.G/Faxweb.al)
Discussion about this post