Kryeministri Edi Rama ka mbledhur paraditen e sotme ekipin drejtues të Partisë Socialiste, një javë pas mbledhjes së asamblesë ku u zgjodhën sekretarët e rinj dhe anëtarët e kryesisë.
Në një dalje për mediat pas takimit që zgjati për më shumë se një orë, Damian Gjiknuri tha se mbledhja e sotme ishte prezantuese, dhe do të nisë puna për zgjedhjet e ardhshme, që sipas socialistëve do të mbahen në vitin 2023.
Pjesë e mbledhjes janë të gjithë sekretarët e rinj të PS-së:
Sekretar i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri
Sekretar Organizativ, Blendi Klosi
Sekretar Dixhital, Etjen Xhafaj
Sekretar i Burimeve Njerëzore, Anila Denaj
Sekretare e Gruas, Etilda Gjonaj
Sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë, Romina Kuko
Sekretare e Rinisë, Bojkena Basha.
Postet e reja brenda qeverisë dhe partisë sollën dhe disa pakënaqësi në radhët e socialistëve, ku Taulant Balla mbeti jashtë kabinetit pavarësisht se është deputeti më i votuar, ndërkohë që Erion Braçe po ashtu e sheh veten jashtë çdo funksioni.
PS fitoi 74 mandate në zgjedhjet e 25 Prillit, ndërkohë që seanca e parë në Kuvend të premten do të drejtohet nga Luljeta Bozo e cila është dhe e zgjedhura më e vjetër që do të ulet në karriget e parlamentit.
Drejtimi i Kuvendit i është besuar Lindita Nikollës, ndërkohë që qeveria e re e Ramës ka pak ndryshime nga ajo aktuale sa i takon ministrive më të rëndësishme në vend.
(E.K/Faxweb.al)