Qeveria do të miratojë një reformë të re për kontrollin e territorit, duke marrë shkas nga zaptimi i hapësirave publike nga ndërtimet pa leje.
Kryeministri Edi Rama, në një postim të fundit në Facebook, ka publikuar rastin e një shtese lokali që është legalizuar në hapësirë publike.
Lidhur me raste të tilla, Rama thotë se do të anulohet ligjërish legalizimi i lejeve të tilla, e madje do të ketë hetim penal edhe për punonjësit e Kadastrës që kanë zbatuar akte të tilla.
Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona.