Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se parku tematik retro “Divizioni” do të jetë një motor i ri ekonomik për Bulqizën, e cila është identifikuar historikisht me minierat.
Gjatë prezantimit të këtij projekti, Rama u shpreh se ky përbën një model inovativ të zhvillimit të turizmit që do të transformojë një zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për turistët.
“Ky është një projekt shumë i veçantë në llojin e vetë, sepse jo vetëm do të bëjë transformimin e një territori që deri në fillim të viteve 2000 i përkiste ushtrisë shqiptare dhe që sot është një shëmbëlltyrë e degradimit, por do të krijojë një destinacion turistik të një lloji të veçantë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se FSHZH jo vetëm do të ndërtojë të gjithë këtë infrastrukturë në një sipërfaqe prej 10 ha, por edhe do të krijojë kushtet për të mikpritur në këtë infrastrukturë artizanët e zonës.
“Do të mikpresë gra të cilat sot janë shëmbëlltyra të përpjekjes për të jetuar me punë të ndershme përmes kultivimit të traditës ushqimore të kësaj zone, të traditës artizanale jo vetëm për sa i përket përgatitjes së produkteve karakteristike të zonës, por edhe të produkteve që janë kaq të rëndësishme për të ruajtur traditën”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, do t’i shërbejë promovimit të turizmit të zonës.
“Do të mikpresë po ashtu kjo hapësirë edhe ata që kultivojnë apo përpunojnë produkte, qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë edhe grumbulluesit e përpunuesit e bimëve mjekësore. Do të mikpresë po ashtu familjet, më të rinjtë, gjyshërit dhe fëmijët në të gjitha hapësirat rekreative. Patjetër, duke pasur edhe një strukturë hoteliere që FSHZH do ta menaxhojë së bashku me gratë e zonës, do të mikpresë udhëtarë vendas që kalojnë përmes kësaj zone, apo edhe turistë të huaj”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se numri i turistëve të huaj që vizitojnë zonën po rritet në mënyrë befasuese vit pas viti, në këtë qark kur deri dje, kur flisje për turizëm të shikonin të gjithë shtrembër, sikur po talleshe.