Pas kundërshtimit të kandidaturës së Trump, mesa duket Kryeministri Edi Rama ka vendosur ta injorojë inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-së.
Pavarësisht se kanë kaluar disa orë nga ceremonia e inaugurimit të Trump, Rama ka zgjedhur të heshtë duke mos publikuar asnjë urim për të.
Ai ka bërë postimin e parë në Facebook pas ceremonisë ku nuk ishte i pranishëm, postim i cili nuk kishte lidhje fare me Trump-in.
Rama publikoi disa fotografi të vjetra të Hoxhë Kadri Prishtinës, në përvjetorin e vdekjes së tij.
“Shqipëria është fatlume që klerikët myslimanë, intelektualë e atdhedashës i ka pasur të shumtë. Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të dijëtarit të madh islam dhe patriotit e vizionarit mbarëkombëtar, Hoxhë Kadri Prishtinës, kjo e vërtetë e madhe që na bën krenar duhet rithënë për t’ua transmetuar brezave që përballen sot me lloj-lloj falsifikimesh historike e ideologjike. Komiteti Mbrojtja kombëtare e Kosovës nuk ishte më e pakta vepër që Hoxhë Kadriu la në histori; gazetat që botoi në Shkodër dhe veprimtaria pedagogjike, e bëjnë atë një nga personalitetet më të spikatura të historisë sonë kombëtare”, shkruan Rama krahas fotove.
Në ceremoninë e inaugurimit të Trump ishin të pranishëm edhe shumë figura të njohura shqiptare, duke filluar nga kreu i Kuvendit Ilir Meta, për të vazhduar më pas me kryetarin e PD-së Lulzim Basha, kryetarin e PR-së Fatmir Mediu, ministrin Blendi Klosi, deputetët Ervin Bushati dhe Eduart Ndocaj, kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, e shumë të tjerë.
Ndërkohë që Trump vazhdon aktivitetet e tjera të planifikuara më këtë 20 janar, zyrtarët shqiptarë nuk i kanë kursyer urimet e tyre në Facebook.
Lulzim Basha e ka uruar presidentin e ri nëpërmjet Facebook-ut dhe Instagramit. Presidenti Bujar Nishani po ashtu e ka uruar nëpërmjet faqes së tij zyrtare. Ish-kryeministri Sali Berisha po ashtu.Vetëm kryeministri Edi Rama bën përjashtim nga kjo listë.
Nuk e dimë së nga vjen kjo heshtje e kryeministrit, por edhe heshtja është një formë komunikimi. (D.D/Shuplaka)