Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme i ka kushtuar rëndësi Partneritetit Publik-Privat në shëndetësi, do të mundësohet ofrimi i shërbimeve të specializuara falas për qytetarët në 10 paketa shëndetësore, të cilat thotë ai mbulohen nga shteti.
Ai i referohet inaugurimit që iu bë dje një spitali të ri privat, të mundësuar pikërisht nga ky Partneritet midis shtetit dhe biznesit privat.
“Falë partneritetit mes qeverisë dhe sipërmarrjes private në shëndetësi, edhe ky spital do të ofrojë shërbimet e tij të specializuara e bashkëkohore FALAS për qytetarët në të paktën 10 paketa shëndetësore që mbulohen 100% nga shteti. Janë paketa të rëndësishme që përshijnë shërbime bazë të kardiokirurgjisë, kardiologjisë, nefrologjisë dhe implantit koklear.”, shkruan Rama.
Kryeministri shprehet se pavarësisht baltës që hidhet papushim në “katundin mediatik”, siç i quan ai mediat në vend, sidomos brenda çadrës, po dalin frytet e para të këtyre investimeve në shëndetësi.
POSTIMI I RAMËS
“Dje në çeljen e dyerve të një tjetër spitali modern në rrugën e gjatë e të vështirë për rilindjen e sisemit tonë shëndetësor, ku pa diskutim do të vijojmë me vendosmëri më tutje, për të bërë të mundur që në Shqipërinë që duam, shërbimi shëndetësor të jetë pasqyrë e respektit për dinjitetin e çdo njeriu dhe mishërim i kujdesit për jetën e shëndetin e kujtdo, pavarësisht mundësive ekonomike apo statusit shoqëror.
Falë partneritetit mes qeverisë dhe sipërmarrjes private në shëndetësi, edhe ky spital do të ofrojë shërbimet e tij të specializuara e bashkëkohore FALAS për qytetarët në të paktën 10 paketa shëndetësore që mbulohen 100% nga shteti. Janë paketa të rëndësishme që përshijnë shërbime bazë të kardiokirurgjisë, kardiologjisë, nefrologjisë dhe implantit koklear.
Pavarësisht baltës që hidhet papushim në katundin mediatik me Çadrën në qendër, qytetarët po i shohin vetë frytet e para të partneriteteve publike- private që kemi ndërtuar në shëndetësi. Sot kemi një transformim fantastik të cilësisë së instrumenteve mjekësorë, që po shtrihet në të gjithë spitalet e vendit, duke i dhënë fund një historie absurde dhe dramatike infeksionesh post-operatore; është çelur një epokë e re me hemodializën, duke i dhënë fund kalvarit të vuajtjeve të qytetarëve në nevojë për këtë shërbim 3 herë në javë dhe që deri dje ishin të detyruar të vinin të gjithë në Tiranë, ta merrnin me tre turne shërbimin jetik dhe të shpenzonin në mënyrë marremendëse për transportin, pa llogaritur kohën e një njeriu të familjes që duhet ta kishin gjithnjë me vete.
Sot shërbimi merret pranë banimit dhe ndërkohë që për shërbimin e vjetër mizerabël shteti paguante 90 euro për çdo seancë për çdo individ, sot shteti paguan 80 euro dhe të njëjtët individë marrin një shërbim të shkëlqyer dhe FALAS.
Falë partneritetit publik – privat, shumë shpejt do të kemi një kapacitet tërësisht te ri të analizave laboratorike.
Shumë është bërë. Por ende më shumë mbetet për t’u bërë në rrugën e vështirë të rilindjes së shëndetësisë. Por edhe shumë ka për të humbur nëse ndalemi sot.
Prandaj përpara për Shqipërinë që duam”. (D.D/Shuplaka)