Kryeministri Edi Rama duket se ka nisur verifikimin e deputetëve aktualë të PS-së, përpara se të publikojë listën zyrtare të kandidatëve për zgjedhjet e qershorit.
“Top Channel” raporton se Rama u ka ngarkuar drejtuesve të 12 qarqeve listat e deputetëve, si dhe i ka nisur paraprakisht një letër Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Lallës, ku i kërkon verifikimin e të gjithë deputetëve aktualë në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.
Kryeministri i kërkon kryeprokurorit që t’i kthejë përgjigje përpara 29 prillit, datë e cila do t’i duhet të dorëzojë përfundimisht emrat e kandidatëve në KQZ.
Sipas TCH, ky vetting ka edhe një “prokuror” tjetër në selinë rozë: Gramoz Ruçin, i cili do të paraqesë në kryesi raportin e kontributeve politike të deputetëve, pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet e grupit parlamentar, në seancat e Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare; praninë e tyre pranë bazës socialiste dhe elektoratit; si edhe ecurinë e deklaratave të tyre të pasurisë gjatë këtij mandati qeverisës.