Kryeministri Edi Rama foli sot për largimin e të rinjve nga Shqipëria si edhe për ngjyrat që ai mendon se përfaqësojnë politikën shqiptare.
Në një podcast të zhvilluar me studentet e gazetarisë në laboratorin e mediave digjitale me teknologji të avancuar në Universitetin e Tiranës, kryeministri tha se ajo që duhet të bërë është që të rinjtë por edhe qeveria të punojnë me këmbëngulje dhe të tregojnë durim.
“Kapërcimet e atilla që Shqipëria të jetë në gjendje t’i ofrojë atyre të rinjve që ikin, atë që ata presin ta marrin menjëherë atje ku shkojnë nuk bëhen dot në një kohë të shkurtër dhe thjesht nga dëshira”, tha kryeministri teksa theksoi se duhen bërë gjëra të vogla hap pas hapi në mënyrë që të rinjtë të përkushtohen dhe të ndihen mirë ne vendin e tyre.
“Duhet të punojmë me këmbëngulje dhe të bëjmë durim sepse kapërcimet e atilla që Shqipëria të jetë në gjendje t’i ofrojë atyre të rinjve që ikin, atë që ata presin ta marrin menjëherë atje ku shkojnë nuk bëhen dot në një kohë të shkurtër dhe thjesht nga dëshira.
Por rruga është kjo kalimi nga një laborator analog i vjetër te ky laborator është një hap më shumë drejt stimulimit tuaj për të pasur më shumë dëshirë për t’iu përkushtuar këtyre instrumenteve dhe për t’u ndjerë më mirë në vendin tuaj hap pas hapi”, tha Rama.
Kryeministri u pyet më tej edhe për ngjyrat që ai do vendoste në një pikturën nëse do të ilustronte politikën shqiptare.
”Nuk mendoj se ka një ngjyrë të keqe dhe një ngjyrë të mirë dhe nuk mendoj se e zeza është fajtore në vetvete sepse është e zezë.
Politika shqiptare i ka të gjitha ngjyrat nga më të zbehtat deri te më të ndezurat, do kujdesesha që mos lija asnjë lloj ngjyre, i ka të gjitha brenda”, u shpreh kreu i qeverisë.