Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Partia Socialiste garanton kthesën historike të shtetit shqiptar dhe se të tjerët drejtësisë së re duan vetëm t’i hedhin lakun.
Në rubrikën “Sy m’sy”, në rrjetet sociale, ku kryeministri ka zgjedhur t’u përgjigjet drejtpërdrejt qytetarëve, Rama foli për progres të përvitshëm dhe të përditshëm të Reformës në Drejtësi.
Për këtë, vuri në dukje ai, Shqipëria u zgjodh të mikpresë Kongresin Botëror të Ligjit 2027, mes kandidaturash të forta e shumë më me emër në botën demokratike.
“Po pse u zgjodh Shqipëria? Sepse Bordi i Shoqatës Botërore të Juristëve, që organizon këtë kongres të ligjit, kryetar nderi i të cilit është Mbreti i Spanjës, vlerësoi gjithçka ka bërë Shqipëria me Reformën në Drejtësi, në një përpjekje të jashtëzakonshme për të çliruar drejtësinë nga duart e pushtetit politik, pas 100 e kusur vitesh”, deklaroi Rama.