Gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë, kryeministri Edi Rama ka folur për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
Në deklaratën e përbashkët me homologun Albin Kurti, Rama i bëri thirrje Serbisë që të njohë sa më shpejt pavarësinë e Kosovës, ndërsa për situatën në kufi e cilësoi si një “manovër teatrale” nga ana e serbëve.
“I dashur Albin më vjen mirë të vizitoj Prishtinën menjëherë pas asamblesë së përgjithshme në OKB. Çështja e njohjes përfundimtare të Kosovës ishte një ndër përparësitë e vizitës tonë në Neë York ishte dhe mbetet e tillë. Kjo do të jetë nxitja e njohjes nga të gjithë e realitetit të pakthyeshëm të Kosovës. Nuk ka asnjë diskutim që Serbia duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq dhe në vend të përparimit sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale të Serbisë në kufirin sovran të Kosovës.
Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serb në veriun e Kosovës, sic pretendohet edhe nga zyrtarë të Beogradit. Serbët kanë fantazma sikur kanë dalë nga varri dhe me pretendimin se po mbrojnë qytetarët serb në Kosovë. Serbët në Kosovë jetojnë të pacenuar nga askush madje ju paguhen edhe fatura e energjisë elektrike si asnjë shtet tjetër në botë. Ato manovra nxisnin nacionalizmin vandal nga ana e serbëve. Janë pengje të nacionalizmit duke ndërprerë dialogun mes Serbisë dhe Kosovës”, u shpreh Rama.