Studioja arkitekturore “OMA” u shpall fituese e garës ndërkombëtare për projektidenë arkitekturore për rilindjen e stadiumit “Selman Stërmasi”.
Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale pamje nga projekti, duke krijuar idenë se si do të duket zona përreth stadiumit pas përfundimit të punimeve.
“Projekti fitues i rilindjes së Stadiumit “Selman Stërmasi”, propozim i OMA Studio, prestigjiozja e arkitekturës ndërkombëtare, i cili do t’i japë Tiranës një tjetër qendër të bukur urbane, plot jetë e atraksione”, u shpreh Rama.
Në fazën finale të konkursit ndërkombëtar morën pjesë pesë skuadra finaliste që prezantuan para jurisë konceptet arkitektonike për një stadium krejtësisht të ri, sipas standardeve të UEFA-s, kategoria IV, i cili do ta kthejë atë zonë në një qendër të re të Tiranës.
Zona rreth stadiumit “Selman Stërmasi” do të transformohet, duke u kthyer në një strukturë urbane të rigjallëruar, me sheshe publike të gjalla, hapësira të gjelbra dhe zona me përdorime të përziera për të stimuluar vitalitetin social dhe ekonomik.