Rruga Shirokë-Zogaj është një nga projektet më të rëndësishme që po realizohen me ritëm të shpejtë në Shkodër.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga punimet në kantierin e rrugës Shirokë-Zogaj, ku thekson se aksi është “një nga investimet e shumëpritura strategjike të zhvillimit të zonës së Shkodrës që përfundon këtë vit”.
Sipas Ramës ,rruga do krijojë “edhe një lidhje të re mes Shqipërisë e Malit të Zi, si edhe do t’i shtojë motorët turizmit të kryeqendrës së Veriut”.
Ky projekt po zbatohet nga kompania “ALB Star”, e cila fitoi kontratën 4,7 milionë euro, teksa parashikohet që punimet të përfundojnë më 2 tetor 2025.
Rruga Shirokë-Zogaj-Pika e re kufitare me Malin e Zi (Krajë) është pjesë e mozaikut të investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës. Kjo rrugë pritet të rrisë turizmin në zonë, përveç ndikimit për akses më të mirë në infrastrukturë të komuniteteve lokale.