Ditën e sotme ish-ministri, deputeti i PS-së Saimir Tahirit është përjashtuar nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociimin.
Ky vendim është marrë në fillim të seancës plenare, kur Kryetari i Komisionit të Integrimit Genc Pollo, i kërkoi Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit që Saimir Tahiri të mos jetë pjesë e delegacionit të palës shqiptare, sepse “prezenca e tij në Komision me eurodeputetet të hënën dhe të martën dëmton reputacionin e Shqipërisë”.Vendimi për përjashtimin e Tahirit është marrë nga të dyja partitë, PD dhe PS.
Ky komision pritet të mbahet javën e ardhshme në Tiranë , të martën dhe të hënën.
Deputeti Saimir Tahiri figuronte si përfaqësues i Partisë Socialiste për Komisionin Parlamentar të Stabilizim Asociimit, por Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi siguroi se Tahiri nuk do të jetë më pjesë e Komisionit që diskuton me parlamentin Europian ecurinë e Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit.
Mesa duket Rama po ruan fytyrën e tij para BE-së, duke mos e bërë pjesë të komisioneve me të huajt Saimir Tahirin, pasi ky i fundit është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. (J.V/Faxweb)