Pak orë pasi PD publikoi materialin audio të një përgjimi ku ishte i përfshirë vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj, ka ardhur reagimi i parë nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama ende nuk ka reaguar, por nga Kryesia e Kuvendit, ka dalë në një reagim për mediat Taulant Balla.
Balla tha se nëse materiali është i vërtetë atëherë mbi ministrin Fatmir Xhafaj bie një përgjegjësi morale, ndërkohë që mbi të vëllain e tij një përgjegjësi ligjore.
Balla hodhi akuzë mbi PD-në, se materiali i publikuar në media, mund të jetë një inskenim për të penguar negociatat.
“A është materiali autentik, apo është një përpjekje e Saliut dhe Lulit për të penguar hapjen e negociatave, apo dhe reformën në drejtësi? Kësaj pyetjeje mund ti japë përgjigje prokuroria.
Poseduesit e këtij materiali duhet të shkojnë në prokurori. Prokuroria nuk duhet t’ja lejë këtë çështje vullnetit të akuzatorëve. Çdo shqiptar meriton të dijë të vërtetën. Për ne s’është askush mbi ligjin. Prokuroria ta hetojë, ne presim me padurim të mësojmë të vërtetën. Ose duhet të ndëshkohet i akuzuari, ose akuzuesit nëse janë regjisorë të kësaj shkaqjeje me zë po pa figurë. “-tha Balla.
(F.G/Faxweb.al)