Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar sërish në rrjetet sociale, duke iu rikthyer një prej tezave që artikuloi në deklaratën e djeshme për mediat, Reformën në Drejtësi. Meta pyet nëse kjo duhet të quhet Reformë apo Ramaforma, duke nënkuptuar se kryeministri Rama ka pasur ndërhyrje të forta në këtë proces.
“Mirëmëngjes të dashur qytetarë!
Reforma apo Ramaforma? Kjo është çështja. Po çfarë është Ramaforma? Përgjigje e thjeshtë: Zbatimi ”krijues” i Reformës. Timonieri ynë ka timon por s’ka frena, dhe si i tillë shquhet për “krijimtari” të papërmbajtshme.
Pas pak po e nisim me Kryereformën në drejtësi meqënëse pas pak ditësh nisim festimet për 3-vjetorin e miratimit të saj me 140 vota, duartrokitje dhe puthje të papërmbajtura”, shkruan Meta.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, në një konferencë të gjatë për gazetarët, Meta hodhi akuza të forta në drejtim të Ramës dhe të ndërkombëtarëve, që sipas tij segmente të caktuara, me në krye George Soros kanë tentuar që të bëjnë një komplot institucional në vendin tonë.
Meta propozoi që për të zgjidhur krizën, në 13 Tetor përveç zgjedhjeve për pushtetin lokal, të ketë dhe zgjedhje për Kuvendin dhe për presidentin, një kërkesë kjo që gjeti heshtjen e kryeministrit Rama.
Pavarësisht se Rama është një nga politikanët që reagon dhe për ngjarje të vogla, duket se këtë deklaratë të Metës ai zgjodhi që ta injoronte, duke lënë që të komentonin vetëm Taulant Ballad he Elisa Spiropali, të cilët u shprehën se Meta tashmë nuk mund të quhet më presidenti i vendit.
Sakaq mazhoranca të hënën do të ngrejë me nxitim dhe komisionin hetimor, që do të verifikojë shkeljet e presidentit Meta në caktimin e një dekreti të ri për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vendin tonë.
(E.K/Faxweb.al)