Kryeministri Edi Rama bëri thirrje sot që në 11 maj të mos votohet Partia Demokratike dhe as partitë e vogla.
Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar Rinor për Shqipërinë 2030, Rama tha se nuk është koha për të lozur me fatin e Shqipërisë. Ai tha se vota për PS-në do të thotë votë për Shqipërinë e vitit 2030 dhe anëtare në BE.
“Një vend që negocion anëtarësimin në BE, një vend që flitet mirë për të kudo dhe ku të gjithë duan ta vizitojnë. Në një dekadë rriti më shumë se 2 herë e gjysmë prodhimin e përgjithshëm kombëtar.
Të gjithë duhet ta dinë, siç e dinë fatmirësisht shumica e shqiptarëve, se kjo nuk është koha për të lozur me fatin e Shqipërisë duke e djegur votën në oxhakun gjithë blozë të një partie të vjetër që të vetmen gjë demokratike ka llagapin e saj apo në mangallët e ca partiçkave të reja që të vetmen gjë të re kanë moshën e pronarëve të tyre. Kjo është koha kur shqiptarët duhet ta përdorin votën për Shqipërinë 2030, për Shqipërinë Europë të Ballkanit dhe pjesë të pandashme të Europës së Bashkuar”, u shpreh Rama.