Për rreth 6 orë kryeministri Edi Rama ka qëndruar me deputetët socialistë të qarqeve të ndryshme brenda godinës së kryeministrisë ku siç raportuam më herët, ka diskutuar për çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme, temën e hapjes së listave apo koalicioneve parazgjedhore.
Rama ka vënë në dijeni të vetët, se nuk do të ketë zgjedhjet të parakohshme lokale. Ai ka biseduar me ta në Sallën e Hartave në kryeministri për disa orë ku ka prekur edhe temën e koalicioneve parazgjedhore për të cilën tha se në zgjedhjet e ardhshme, mund të mos regjistrohen fare koalicione.
“Të vijohet me punën në terren, të jeni pranë njerëzve në këtë kohë pandemie. Deputetët tanë nuk mund të jenë me pushime në fundjavë. Duhet të jeni në terren. Të mos shkëputemi me njerëzit. Të mos kemi pushime. Duke qenë se shifrat e pandemisë nuk duken mirë, nuk duhet të fshihemi pas tyre për të mos shkuar në terren. Unë nuk besoj te listat e hapura. Por këtë është mendimi im personal. Këtë do t’a diskutojmë në Parlament. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe sistemim nuk i bëjmë dot vetëm. Duhen votat e opozitarëve”, ka thënë Rama.
Pak minuta pas këtij takimi, eskorta e tij ka mbërritur në selinë e kryesisë së Kuvendit, ku u takua me krerët e grupeve parlamentare të partive opozitare që janë në Kuvend, ndërsa temë e diskutimit ishte pikërisht kërkesa e vazhdueshme e këtyre të fundit për hapjen e listave, por edhe votimi në Kuvend i ndryshimeve dhe marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore, transmeton Faxweb.al.
Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesit e opozitës deklaruan se nuk do të lëshojnë pe, ndërsa vetë Rama deklaroi se është gati ta përfshijë temën e hapjes së listave në debatin parlamentar dhe publik por duhet që të gjithë aktorët të jenë dakord.
Ndërkohë, pas këtyre zhvillimeve, mësohet se ditën e nesërme, Rama do të takohet me kryebashkiakët socialistë, që në fakt drejtojnë 60 nga 61 bashkitë e vendit, pas zgjedhjeve të ashtuquajtura të njëanshme të 30 qershorit të cilat opozita i bojkotoi.
Njësoj si me deputetët, pritet që edhe me kryebashkiakët, Rama të ndajë ide për mënyrën se si do të procedojë PArtia Socialiste për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa ndryshe nga ai që deklaron se vitin e ardhshëm do të ketë vetëm zgjedhje të përgjithshme, nga opozita jashtëparlamentare është artikuluar vazhdimisht për dy palë zgjedhje njëkohësisht.
Nga ana tjetër, teksa për PS-në, nëse mund të quhet se sot ka nisur zyrtarisht lëvizjet elektorale, Partia demokratike nga ana tjetër vijon procesin me anëtarësinë dhe bazën në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë, ku po ndiqen udhëzimet e parashikuara në ndryshimet e reja statutore të partisë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)