Kryeministri Edi Rama foli sot gjatë bashkëbisedimit “Sy m’sy” me ndjekësit virtualë në rrjetet sociale preku edhe hetimet për 21 janarin.
Rama tha se njerëzit duhet t’ia kërkojnë SPAK-ut hetimin për 21 janarin dhe jo atij si kryeministër.
“Çfarë më kërkoni për 21 janarin? Çfarë duhet të bëj unë? E shikoni, tani duhet të jesh idiot, si idioti noterik i Shvejkut ose një ligësirë me dy këmbë që të vazhdosh të thuash që SPAK-un e kontrollon Edi Rama ose vepron politikisht. SPAK ka një politikë të caktuar në vendimmarrje, por nuk është vegël e askujt. Kërkojani SPAK-ut 21 janarin, jo mua! E premtova, nuk ikën 21 janari pa u ndëshkuar, por nuk them unë se kur, se nuk jam unë që e bëj këtë. 21 janari është nga ato çështje ku drejtësia vonon, po nuk harron. Urgjencë e madhe për të paraburgosur kryetarin e bashkisë, po pse pse s’ka urgjencë për 21 janarin për një krim monstruoz, janë vrarë 4 njerëz. Do e bëjë qeveria drejtësinë, partia? Ka vdekur ajo kohë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë, tha në fjalën e tij se ka “vdekur” koha kur partia, qeveria, kryeministri kontrollonin drejtësinë, prokurorinë, gjykatën dhe merrnin në mbrojtje gjithë horrat. “Ka vdekur sepse pllakën e varrit të asaj kohe ia kam vënë unë me Partinë Socialiste, kjo është e vërteta historike”, tha Rama.
“Përtej dasive politike, tifozllëkut apo budallallëkut që të bën të verbër, e vërteta historike nuk shlyhet, thjesht merr kohën e vet. Është në të gjitha dokumentet e shkruar, në të gjitha dëshmitë e kujtesës, që pa mua dhe PS nuk vinte kjo kohë. Kjo kohë ka dallgët e veta! Me çdo kosto, me çdo çmim, për lëkurën dhe brinjët tona. E kemi ditur që do kishte probleme, nëse unë do kisha filluar të flisja si sot, pa e lënë SPAK-un të merrte vetëbesimin e plotë , nuk do arrihej kjo”, theksoi kryeministri Rama.
Rama u ndal sërish te arrestimi i kryebashkiakut Veliaj, ku sipas tij nuk duhet të ketë një linçim publik për persona të caktuar që hidhen si mish ku turren gjithë qenëria e kënetës politike dhe mediatike.
“Çfarë kuptimi ka në fund për dikë që degjenerohet, shkatërrohet dhe në fund del i pafajshëm? Ne duam të shkojmë drejt BE-së apo te vendet jashtë BE me të cilët jemi bashkë atje në krye të klasifikimit për torturën, për numrin e të paraburgosurve?”, vijoi Rama.
“Unë dua të shkojmë në Bashkimin Evropian 2030 dhe nuk dua që nesër BE të thotë se vullneti për të luftuar korrupsionin është i qartë, është i plotë, drejtësia është e pavarur dhe goditjet ndaj individëve me profil të lartë janë me vullnet të plotë, por standardet nuk i keni të mjaftueshme për t’u pranuar si një vend në BE. Po pse këtu do të përfundojmë ne?”, tha Rama.
Discussion about this post