Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas vizitës së Edi Ramës në Thumanë.
Bardhi e cilëson vizitën e kryeministrit si një spektakël i shëmtuar dhe sipas tij ai është kthyer në vendin e krimit shtetëror pa dhënë llogari për humbjen e jetëve të 24 njerëzve të pafajshëm.
Sipas Bardhit Edi Rama është i detyruar t’u thotë shqiptarëve çfarë permbanin aktet e konstatimit për dy pallatet e shembura me 26 Nëntor, çfarë masash u morën dhe kush i lejoi banorët të futeshin në pallate të pasigurta pas 21 Shtatorit.
“Spektakli i shëmtuar i Edi Ramës në Thumanë me shtëpitë që i ka detyrim ligjor për t’i ndërtuar është i papranueshëm dhe nuk e shpëton dot atë dhe bashkëpunëtorët e tij nga përgjegjësia morale, politike dhe penale.
Ai është kthyer në vendin e krimit shtetëror pa dhënë llogari për humbjen e jetëve të 24 njerëzve të pafajshëm. Në javën e tretë pas tërmetit, Edi Rama hesht për përgjegjësitë direkte të Komitetit të Emergjencave, të drejtuar prej tij dhe të Bashkisë së Krujës, përse banorët e pallateve të shembura në Thumanë u lejuan të jetojnë aty pas tërmetit të 21 Shtatorit.
Edi Rama është i detyruar t’u thotë shqiptarëve çfarë permbanin aktet e konstatimit për dy pallatet e shembura me 26 Nëntor, çfarë masash u morën dhe kush i lejoi banorët të futeshin në pallate të pasigurta pas 21 Shtatorit.
Prokuroria duhet të veprojë menjëherë! #DREJTËSI për viktimat e 26 Nëntorit!”- shkruan Bardhi.