Kryeministri Edi Rama ka theksuar se vota më 11 maj ka një rëndësi të jashtëzakonshme gjeo-strategjike, duke e lidhur këtë proces me rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe sigurinë e ardhshme të vendit.
Në një komunikim me qytetarët, Rama ka përmendur një anketë të realizuar nga Bashkimi Europian, e cila ka treguar se 74% e shtetasve të BE-së besojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në këtë bllok dhe se kanë arsye të mbështesin Bashkimin Europian. Gjithashtu, 35% e mbështetësve të kësaj mase kanë theksuar rëndësinë e paqes dhe sigurinë si arsye kryesore për këtë mbështetje.
Rama ka theksuar se për popujt e Europës, anëtarësimi në BE është një garanci për paqen dhe sigurinë, duke e konsideruar këtë një moment vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë. “Më 11 maj vota ka rëndësi gjeo-strategjike,” ka deklaruar ai, duke nënvizuar se ky proces është një hap i rëndësishëm për të arritur integrimin e plotë në Bashkimin Europian.
Edi Rama: Është bërë një anketë nga BE, për herë të parë 74 përqind e bllokut të BE beson se vendi i tyre ka përfituar nga Bashkimi Europian dhe që beson se sot ka arsye për të mbështetur BE-në. Dhe, 35 përqind e mbështetësve të kësaj mase domethënëse, citojnë paqen dhe sigurinë. Më 11 maj vota ka rëndësi gjeo-strategjike. Popujt e Europës e besojnë BE-në. Janë në një mendje që qënia në BE është garanci për paqen dhe sigurinë. Nga integrimi në BE marrim 1 miliard euro në vit, marrim shumë para, siç merr sot Kroacia.