Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për herë të parë nga çadra pas takimit që pati këtë paradite me kryeministrin Edi Rama, takim që zgjati katër orë. Reagimi mbi këtë takim vjen nga ai pak pas deklaratës për mediat që dha pasditen e sotme Rama.
Nga çadra e opozitës, Basha bëri me dije se Partia Demokratike dhe opozita në tërësi ofruan gjithë ç’mundin të ofronin. Ndërsa sipas tij, kryeministri Edi Rama u tërhoq edhe nga ato që ofroi javën e kaluar në takimin me ndërkombëtarët.
“Dje e kuptoi se edhe kur investon miliona me lobistë, e vërteta vonon por nuk harron. E vërteta ka mbërritur në shtëpitë e cdo shqiptari.
Pa zgjidhje të vërtetë, zgjidhje politike, nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri. Pra nuk do të ketë as bojkot, se ne vetëm duarkyç nuk do të rrimë. Kushti i vetëm janë zgjedhjet e lira. Kemi ofruar sot në tavolinë gjithcka që Partia Demokratike dhe opozita mund të ofronin. Pala tjetër u tërhoq edhe nga propozimet e javës së kaluar. Sot Edi Rama vulosi faktin katërcipërisht të njohur se jo vetëm është pengesa e vetme por nuk ka asnjë argument cilësor.
Edi Ramës nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm argument i forcës. Forca e Edi Ramës është rrethimi i administratës shtetërore. I ka mbetur vetëm argumenti i forcës.
Ai i ka të gjitha këto. Ai ka krimin, bandat, drogën, në dorë të firmosë dhe të mbrojë paligjshmërinë e administratës. Ai nuk e di se përballet jo thjesht me një lëvizje popullore, por me shpresën e cdo shqiptari të ndershëm.
I armatuar me argumentin e forcës së krimit të paligjshmërisë. Përballë ka një forcë të pathyeshme. Përballë ka vendosmërinë e bashkuar të cdo shqiptari për t’i thënë “Mjaft” krimit, drogës.
Zgjedhjet e lira e të ndershme nuk do i japim kurrë. Vodhët të sotmen, por kurrsesi nuk mund të lejojmë të vidhni të nesërmen. Populli do i provojë këto llogari duke nisur me zgjedhjet e së dielës në Kavajë. Më 7 maj clirojmë Kavajën nga krimi.”, u shpreh ndër të tjera Basha.
(XH.A/SHUPLAKA)