Duke u ndalur tek propozimet e bëra Partisë Demokratike, me qëllim që ajo t’i japë fund bojkotit në parlament dhe të kthehet në Kuvend, kryeministri Edi Rama zbuloi gatishmërinë për të sakrifikuar zv/kryeministrin Niko Peleshi.
Ai tregoi në konferencën me gazetarët propozimin për një zv/kryeministër të zgjedhur nga Partia Demokratike, por që të mos jetë pjesë e saj, i cili do të kishte aksesin që të monitoronte sjelljen e shtetit në fushatë.
Rama u shpreh se këtë propozim, realist dhe garantues, ai nuk do kishte guxuar ta shikonte as në ëndrrën e tij më të bukur.
Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike, akuzoi nga çadra kryeministrin se në tryezën e djeshme të bisedimeve, u tërhoq edhe nga propozimet e bëra më parë nga ai.
“Unë kam bërë një propozim shumë realist, garantist. As në ëndrrën time më të bukur nuk do guxoja ta shikoja. I kam propozuar një mekanizëm brenda qeverisë, për të vëzhguar nga afër zhvillimin e procesit.
Një zv/kryeministër i propozuar nga PD por jo anëtar i saj, që të vihet në dispozicion të një task-force. Ky zv/kryeministër së bashku me një përfaqësues të OSBE-së, BE-së, do ketë detyrën e monitorimit të plotë të sjelljes së shtetit në fushatë mbi bazën e një rregulloreje.”, tha kryeministri.
(XH.A/SHUPLAKA)