KQZ me vendim unanim të të pesë anëtarëve të saj ka shpallur të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.
Vendimi do ti komunikohet menjëherë dhe kryeministrit Edi Rama, dhe pavarësisht debateve të gjithë anëtarët e KQZ kanë vendosur shkarkimin e tij.
Rasti i Agim Kajmakut u denoncua fillimisht nga Partia Demokratike, dhe më pas u zbulua se kryebashkiaku i shkarkuar i Vorës kishte fshehur arrestimin e tij në Greqi.
Pavarësisht se kishin kaluar më shumë se dhjetë vite, Kajmakut iu rihap çështja në Greqi, dhe në Shtatori e këtij viti ai u shpall i pafajshëm, per akuzën e përdorimit të parave false.
Agim Kajmaku është kryebashkiaku i dytë që shkarkohet në sajë të denoncimeve të PD-së dhe ligjit të dekriminalizimit.
Të njëjtin fat pati pak javë më parë dhe Valdrin Pjetri, me ndryshimin e vetëm se ky i fundit nuk pranoi që të bënte fare betimin në krye të Shkodrës, dhe dha dorëheqjen pa qenë e nevojshme që çështja të shkonte për vendimmarrje në KQZ.
Tashmë pritet që pas njoftimi të kryeministrit dhe shpalljes së vakancës në krye të Bashkisë së Vorës, drejtimin e përkohshëm të pushtetit lokal ta marrë nënkryetari aktual i kësaj bashkie, deri në dekretimin e zgjedhjeve të reja nga ana e presidentit të Republikës.
(E.K/Faxweb.al)