Ish- Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar me një status në Facebook në lidhje me heqjen e taksës me Serbinë të cilën qeveria e re me në krye Albin Kurtin e hoqi pjesërisht pak minuta më parë.
Me një gjuhë të ashpër ndaj pasardhësit të tij ai thotë se nga ky moment Albin Kurti është përgjegjes për ripushtimin ekonomik.
Postimi i plotë:
“Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj”.
Ky reagim vjen menjëherë pas deklaratës së Kurtit ku njoftoi heqjen e taksës me Serbinë dhe Bosnjen.
“Nga 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina”, është shprehur Kurti.
“Kjo si shenjë për gatishmëri për marrëveshjen ekonomike tregtare me Serbinë. Ftojmë Serbinë që të zotohet që ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.
E nëse Serbia vazhdon fushatën miqësore, atëherë nga data 1 prill tarifa do të hiqet tërësisht për një periudhë 90 ditëshe.
“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në këtë fushatë miqësore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, do ta heqë tërësisht tarifën për një periudhë 90 ditëshe”, ka thënë Kurti.
Gjithashtu, Kurti kushtëzoi edhe Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“BE’ja ta zhvillojë lartë këtë veprimin tonë, duke filluar liberalizimin e vizave. Në rast se Serbia nuk e përfillë vullnetin e Qeverisë së Kosovës për eliminim e barrierave ekonomike, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin e reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pas në fushën ekonomike e politike”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti thotë se nëse Serbia nuk reflekton, tarifa do të rikthehet përsëri.
“Nëse pala serbe nuk reflekton përsëri, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qeshor do ta rikthejë tarifën përsëri”.
“Reciprociteti i plotë tregtar instalohet pas 15 qeshorit”, shtoi Kurti.