Pak ditë para vendimit përfundimtar të Gjykatës për urdhër-arrestet serbe, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, falenderon të gjithë qytetarët që e kanë mbështetur gjatë këtyre ditëve të vështira, dhe kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
“Mbështetja kaq e madhe e kaq e shtrirë dhe e pandërprerë për asnjë moment për mua, është mbështetje dhe qëndrueshmëri, jo veç për mua, por për të drejtën tonë të përbashkët, që është krejt e përputhshme me të drejtën e drejtësinë individuale e kolektive, për të gjithë popujt e lirë!”, shkruan Haradinaj.
Postimi i plotë:
“Të dashur qytetarë,
Mbështetja kaq e madhe e kaq e shtrirë dhe e pandërprerë për asnjë moment për mua, është mbështetje dhe qëndrueshmëri, jo veç për mua, por për të drejtën tonë të përbashkët, që është krejt e përputhshme me të drejtën e drejtësinë individuale e kolektive, për të gjithë popujt e lirë!
E kam parë tash e një muaj karvanin e popullit tim që nuk sosej kurrë, e që marshonte në Prishtinë e në Tiranë, në Shkup e në Gjakovë, në Prizren e Malishevë, në Istog e në Podujevë, në Obiliq e Rahovec, në Vushtrri e në Deçan, në Kamenicë e në Lipjan, Ferizaj…e kështu me radhë gjithandej e deri sot me protestën e madhe në Pejë!
Poashtu mijëra bashkëkombas që kanë protestuar me aq qytetari, që nga Amerika, Australia e deri te shtetet evropiane, Francë, Angli, Belgjikë, Zvicer, Gjermani, Itali…
Kur një popull është në këmbë, ai e di që është në të drejtën e tij, siç jemi të gjithë ne edhe këtë herë!
Shpejt do të jemi bashkë, sepse kemi shumë punë pë të bërë!
Krenar me Ju!”, (D.D/Shuplaka)