Gjykata Evropiane e Audituesve ka dalë në përfundimin se kontratat e Partneritetit Publik Privat nuk janë rruga e duhur për të zhvilluar projektet.
Pasi janë audituar 87 kontrata koncesionare të dhëna nga vendet e BE-së nga viti 2000-2014, ekspertët e Gjykatës kanë dalë në përfundimin se këto projekte kanë sjellë një dëm të madh ekonomik dhe humbje të konsiderueshme tek taksapaguesit.
Gjykata ka marrë në shqyrtim 7 projekte autostradash në Greqi dhe Spanjë.
Në raport thuhet se këto projekte janë tenderuar fillimisht me 7.8 miliardë euro dhe më pas kostoja është rritur gjatë zbatimit me 1.5 miliardë euro të tjera. Gjykata e ka quajtur këtë një dëm ekonomik.
Sipas BE-së, realizimi i PPP-ve sjell vonesa në përfundimin e projekteve me 5 vite nga data e nisjes.
“Përfitimet potenciale të PPP-ve shpesh nuk janë arritur, për shkak të vonesave dhe rritjeve të kostove, duke rezultuar në 1.5 miliardë euro shpenzime joefektive”, thuhet në vendim.
Bashkimi Evropian e ka për herë të parë një raport kaq të hollësishëm për projektet PPP në BE.
Politika e koncesioneve ka sjellë dëme për qytetarët e unionit, specifikon vendimi.
“Projektet e audituara nuk janë menaxhuar në mënyrë efektive. Përfitimet e mundshme të PPP-ve nuk u arritën, pasi ka patur vonesa, janë rritur kostot dhe ka rezultuar me 1.5 miliardë euro shpenzime joefektive, nga të cilat 0.4 miliardë euro kanë qenë fondet të BE-së. Kjo, për shkak të mungesës së analizave, qasjeve strategjike ndaj përdorimit të PPP-ve dhe kornizave institucionale dhe ligjore. Ekziston një rrezik i lartë që PPP-të nuk do të kontribuojnë në shtrirjen e pritshme për qëllimin për të zbatuar një pjesë më të madhe të fondeve të BE.“,-thuhet në raport.
Ky raport, vjen në një kohë kur në Shqipëri PPP-të janë zgjedhja e parë për zhvillimin e projekteve.
Përveç milionave euro të hedhura për koncesione në shëndetësi, rreth 1 miliardë euro do përdoren në 5 kontrata rrugësh si plan i paketës “1 miliardë euro investime”.
Burimi: www.eca.europa.eu
(F.G/Faxweb.al)
Discussion about this post