Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pas publikimit të raportit të Dash ku thuhej se qeveria shqiptare shqiptare nuk është në gjendje që që përmbush standardet minimale për elemininmin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Reagimi i ambasadës:
Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta arritur këtë.
Qeveria demonstroi përpjekje në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit; për pasojë, Shqipëria mbeti në Grupin 2. Qeveria rriti financimet për mbrojtjen e viktimave dhe identifikoi dhe ndihmoi më shumë viktima.
Lexoni të plotë Raportin mbi Trafikimin e Personave 2018 për Shqipërinë:
https://bit.ly/2L87i0C
PJESË NGA RAPORTI:
Shqipëria
Në kapitullin e raportit për Shqipërinë, thuhet se qeveria shqiptare nuk i përmbush plotësisht standartet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore; megjithatë, thuhet në raport, qeveria është duke bërë përpjekje të rëndësishme për të arritur këtë synim.
Raporti vë në dukje se janë disa sektorë kyç për të cilat qeveria nuk i ka plotësuar standartet minimale:
– Qeveria vazhdon t’i ndëshkojë viktimat e trafikimit për shkeje ligjore, pasojë e drejtpërdrejtë e faktit që viktimat janë detyruar t’i nënshtrohen trafikimit.
– Qeveria ka raportuar më pak raste ndjekjesh penale e dënimesh dhe autoritetet vazhdojnë t’i ndjekin penalisht disa trafikantë, nën akuza më të lehta, siç është ajo për shfrytëzim prostitucioni.
– Qeveria ka vonuar financimin e strehëve të sigurta të drejtuara nga OJQ-të dhe hetimet e ndjekjet penale nuk i ka bërë në mënyrë të vazhdueshme, duke u nisur nga parimi që në qendër të tyre të jenë viktimat.
– Policia, thuhet në raport, jo gjithmonë i identifikon viktimat e trafikut në mesin e individëve të përfshirë në prostitucion.
Sikurse është thënë në raportet për Trafikimin e Qenieve Njerëzore që nga viti 2014, Shqipëria mbetet vend burimi, vend kalimtar dhe destinacioni për burrat, gratë dhe fëmijët në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar. Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar, sidomos gjatë sezonit turistik, thuhet në raport. Trafikantët përdorin premtime të rreme, siç janë martesa, apo vendet e punës, për t’i detyruar viktimat të përfshihen në këtë trafik. Ata po përdorin gjithnjë e më shumë mediat sociale për rekrutimin e viktimave.
Fëmijët shfrytëzohen si lypës dhe për punë tregtie, si shitës ambulatorë. Ata, kryesisht fëmijët e komunitetit rom, shfrytëzohen për punë sezonale. Ka patur raste kur fëmijët janë shfrytëzuar edhe në fushat e kanabisit. Viktimat shqiptare janë subjekte të trafikut të seksit në mbarë Evropën, sidomos në vende si Kosova, Greqia, Italia, Belgjika, Gjermania, Zvicra, Maqedonia, Norvegjia, Holanda dhe Britania e Madhe. Sipas raporteve të Organizatave Jo-qeveritare, ka një rritje të numrit të fëmijëve shqiptarë, që i nënshtrohen punës së detyruar në Kosovë dhe Britaninë e Madhe.
Në raport thuhet gjithashtu, se në Shqipëri janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar, viktima të huaja nga vendet e Evropës dhe Filipinet. Imigrantët e paligjshëm nga Azia, shpesh punësohen në familjet e kamura shqiptare, duke u bërë të brishtë përballë punës së detyruar. Imigrantët nga Lindja e Mesme, Azia Qendrore dhe Afrika, e përdorin Shqipërinë si vend tranzit për të kaluar në Europën Perëndimore dhe ata rrezikohen nga trafikimi.
Rekomandime për Shqipërinë
Raporti i rekomandon Shqipërisë që t’i përjashtojë viktimat nga ndëshkimi për shkelje ligjore, kur shkeljet janë rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit, sidomos për viktimat e trafikut seksual, të cilat shfrytëzohen për prostitucion; të vazhdojë të hetojë intensivisht, të ndjekë penalisht dhe dënojë trafikantët, përfshirë zyrtarët e implikuar në trafikim; të trajnojë hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit për identifikimin e viktimave; të shtojë mbrojtjen e viktimave nga frikësimet dhe kërcënimet gjatë proceseve gjyqësore, duke lehtësuar përfshirjen në programet e mbrojtjes së dëshmitarëve; të zgjerojë trajnimin e prokurorëve të përfshirë në çështje që merren me viktimat – dëshmitarë; të shtojë fondet për Organizatat Jo-qeveritare që strehojnë viktimat dhe të rrisë numrin e punonjësve në këto strehë; të rrisë mundësitë e policisë kufitare dhe të shtojë përpjekjet për të kapur që herët shenja për fëmijë të trafikuar; të miratojë një plan mbarëkombëtar, për të cilin të ofrojë burimet e nevojshme financiare.