Raporti i Monitorimit SIGMA 2024, i cili vlerëson performancën e administratës publike në vendet e rajonit ka renditur sërish Shqipërinë në krye të listës për ecurinë në katër nga gjashtë fushat e vlerësimit në administratën publike.
“Shqipëria mbetet lider rajonal në funksionimin e administratës publike në pesë nga gjashtë fushat tematike, veçanërisht në menaxhimin e financave publike, menaxhimin e shërbimit civil dhe burimeve njerëzore, si dhe në zhvillimin dhe koordinimin e politikave për reformën në administratën publike,” shkruhet në raportin “Parimet e Administratës Publike” nga SIGMA.
Raporti evidenton krijimin e pozicionit të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin si zhvillim pozitiv. “Emërimi i një Ministri të dedikuar Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në janar 2024, është një zhvillim i rëndësishëm që qartëson përgjegjësinë politike për reformën në administratën publike,” shkruhet në raportin monitorues të SIGMA-s për vitin 2024.
SIGMA vlerëson që rekrutimi në administratën publike shqiptare kryhet i bazuar në meritë dhe transparencë, dhe se rritja e pagave e ka bërë shërbimin civil më tërheqës. “Atraktiviteti i shërbimit civil si punëdhënës është rritur, së bashku me kënaqësinë me pagat, pas një rritjeje prej 46% të pagave në sektorin publik. Kushtet e punës që ndikojnë në mirëqenien e punonjësve (modalitetet për punën në distancë dhe fleksibilitetin e orarit, konsultimet me përfaqësuesit e nëpunësve, anketat e kënaqësisë në punë) po marrin më shumë vëmendje brenda shërbimit civil. 86% e nëpunësve civilë të anketuar do ta rekomandonin institucionin e tyre si një vend të mirë pune, ky është rezultati më i lartë në rajon,” shkruhet në raportin e SIGMA.
Në drejtim të garantimit të llogaridhënies dhe mbikëqyrjes në sektorin publik, SIGMA vë në dukje se transparenca ka shënuar përmirësime, duke përfshirë konsultimet publike dhe qasjen në informacion ndërsa mekanizmat e mbikëqyrjes janë përforcuar.
“Shqipëria ka shënuar progres në krijimin e një kornize ligjore të qëndrueshme për aksesin në informacionin zyrtar, dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është një autoritet efektiv në garantimin e trajtimit të kërkesave për informacion.” shkruhet në raportin monitorues të SIGMA.
Sa i takon fushës së vlerësimit për digjitalizimin dhe ofrimin e shërbimeve publike, administrata publike ka avancuar ndjeshëm në këtë drejtim. Sipas SIGMA-s, integrimi i regjistrave dhe ndërveprimi i sistemeve përfaqësojnë një arritje të madhe, duke thjeshtuar procedurat dhe reduktuar barrën administrative.
“Shqipëria ka përparuar në digjitalizimin e shërbimeve publike, ku 95% e shërbimeve janë tashmë të disponueshme përmes platformës e-Albania, duke përmirësuar aksesin online të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset,” shkruhet në raport.
Ndërsa inovacioni promovohet aktivisht në sektorin publik përmes aktiviteteve të veçanta, dhe shumica e nëpunësve civilë (62%) konfirmojnë se në administratën publike shkëmbehen praktikat e mira.
Sipas raportit, legjislacioni për Prokurimin Publik është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian, falë ndryshimeve të mëtejshme ligjore të 2024 që rrisin transparencën, konkurrencën dhe përdorimin e mjeteve digjitale si prokurimi elektronik.
Në gjetjet e raportit të SIGMA evidentohet gjithashtu se krijimi i Operatorit Qendror të Blerjeve ka përmirësuar prokurimet e centralizuara, teksa Komisioni i Prokurimit Publik ka reduktuar ndjeshëm kohën e nevojshme për trajtimin e ankesave, pavarësisht rritjes së numrit të apelimeve. Po ashtu, përqindja e ankesave në gjykatë lidhur me vendimet e KPP-së është ulur ndjeshëm.
Gjetjet e raportit të SIGMA-s, janë burimi kryesor i vlerësimit të Komisionit Evropian në fushën e Administratës Publike në Raportet vjetore të Progresit. Vlerësimi i parafundit për Shqipërinë është kryer në 2021. SIGMA është një nismë e përbashkët e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe BE-së.