Gjatë 12 viteve të fundit, shëndetësia në Shqipëri ka kaluar nga një premtim për një sistem më të mirë në një realitet të hidhur dhe të pasigurt. Raporti i fundit i Organizates për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për vitin 2024 ka nxjerrë në pah një situatë alarmante për sektorin e shëndetësisë në vendin tonë. Shqipëria, përkundër angazhimeve të shumta politike, vazhdon të mbetet e fundit në rajon dhe në Europë për shpenzimet shëndetësore për frymë.
Ky dështim i politikave dhe i premtimeve të bëra nga Partia Socialiste ka pasur pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Pavarësisht se shëndetësia është një nga sektorët më të rëndësishëm për mirëqenien e një vendi, Shqipëria ka vazhduar të mbetet në fund të listës për sa i përket investimeve dhe mundësive të ofruara për qytetarët e saj.
DEKLARATË PËR MEDIA DREJTUESI I DEPARTAMENTIT TË SHËNDETËSISË NË PD, ILIR ALIMEHMETI
Të nderuar qytetarë!
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në raportin mbi gjendjen shëndetësore në Europë në vitin 2024, shkruan se Shqipëria ka shpenzimet shëndetësore për frymë më të ulëta në Europë, vetëm 734 euro për frymë në vit.
Në të njëjtin raport, OECD raporton se:
Mali i Zi shpenzon 217% më shumë se Shqipëria, ose 1.593 euro për frymë në vit.
Serbia shpenzon 207% më shumë se Shqipëria, ose 1.517 euro për frymë në vit.
Maqedonia e Veriut shpenzon 56% më shumë se Shqipëria, ose 1.142 euro për frymë në vit.
Bosnjë-Hercegovina shpenzon 46% më shumë se Shqipëria, ose 1.072 euro për frymë në vit.
Turqia shpenzon 36% më shumë se Shqipëria, ose 1.000 euro për frymë në vit.
Po ta krahasojmë me mesataren e Bashkimit Europian, ajo është 481% më shumë se në Shqipëri, ose 3.533 euro për frymë në vit.
Ky është rezultati i 12 viteve “Shëndetësi Falas”!
Të fundit në shëndetësi në rajon, të fundit në shëndetësi në Europë!
Kjo vlerë është totali i shpenzimeve publike dhe private, pra përfshin edhe paratë që dalin nga xhepi juaj kur keni nevojë për shërbime shëndetësore!
Ju kujtoj se OBSH-ja ka raportuar në fundin e vitit 2023, se 60% e shpenzimeve shëndetësore dalin direkt nga xhepi juaj, edhe ky niveli më i lartë në Europë, pas 10 vitesh implementimi të gënjeshtrës politike të quajtur “Shëndetësi Falas”.
Ju kujtoj ju, se në vitin 2013 Partia Socialiste premtoi që do ta çonin shpenzimin publik të shëndetësisë në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe pas 12 vitesh që e shkruajnë me dorën e tyre buxhetin kjo vlerë është vetëm 2.9% e PBB: niveli më i ulët i shpezimit shëndetësor publik në Europë.
Ju kujtoj ju gjithashtu, se Partia Demokratike në amendamentet e kërkuara për buxhetin e vitit 2025, kërkoi edhe rritjen e shpenzimit publik shëndetësor në nivelin 5% të PBB-së për vitin 2025, dhe më pas rritje vjetore 1% deri në arritjen e mesatares së vendeve të rajonit.
Çfarë bëri Partia Socialiste të nderuar qytetarë? Partia Socialiste votoi kundër rritjes së buxhetit të shëndetësisë në nivelin 5% të PBB-së, e cila në fakt ishte votë kundër vetë premtimit të tyre të vitit 2013, duke treguar se premtimet elektorale nuk i kanë seriozisht e nuk kanë ndër mend t’i zbatojnë. Jo se nuk munden, por se nuk duan dhe nuk kanë vullnetin politik për ta bërë!
Ky nënfinancim publik i shëndetësisë në Shqipëri ka krijuar dhe ka thelluar probleme dhe kufizime të mëdha të kapaciteteve ndër vite.
Modeli i nënfinancimit të shëndetësisë që ka implementuar Partia Socialiste, jo vetëm që nuk krijon dot zgjidhje, por e kundërta, thellon dhe më tej atë plagë që lëngon prej vitesh!
Ata nuk prodhojnë dot zgjidhje për shëndetësinë, sepse në fakt ata nuk e dëshirojnë një zgjidhje për shëndetësinë.
Zgjidhja jepet nga programi i Partisë Demokratike për shëndetësinë, i cili bazohet në katër hallka kyçe:
Vlerësimin e saktë të problematikës shëndetësore,
Financimin e duhur të sektorit shëndetësor,
Decentralizimin e shërbimeve shëndetësore, dhe
Zbatimin e e kritereve të performancës dhe të niveleve thelbësore të asistencës shëndetësore.
si baza themelore që mund të bëjë të mundur trajtimin e sëmundshmërisë, mbrojtjen e jetës dhe promovimin e shëndetit në Shqipëri, sepse:
E drejta e shëndetit duhet mbrojtur me çdo kusht!
E drejta e jetës duhet mbrojtur me çdo kusht!