Viti 2024 ka sjellë një ulje të numrit të veprave penale dhe autorëve të përsëritur, por ka pasur një rritje të viktimave dhe procedimeve penale.
Të dhënat nga raportet e Policisë së Shtetit tregojnë një rënie të veprave penale të evidentuara, me një ulje prej 3,5% krahasuar me vitin 2023.
Numri i veprave penale është 32.653, ndërsa autorët e dyshuar janë 40.057, me një rritje të vogël prej 1,4% në krahasim me vitin e kaluar.
Shumica e autorëve të dyshuar janë meshkuj, me 93.7%, ndërkohë që grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30-44 vjeçare, me 36% të autorëve të dyshuar. Ndërsa për autorët pa përsëritje, shifrat janë të qëndrueshme me 33.453 raste.
Një tjetër trend shqetësues është rritja e numrit të viktimave të krimeve. Për vitin 2024, 17.761 persona kanë pësuar dëme nga krimet, një rritje prej 4,3% në krahasim me vitin e kaluar. Pjesa më e madhe e tyre janë viktima të krimeve kundër personit dhe të dhunës seksuale, me 38,8% të viktimave që janë femra.
Edhe procedimet penale kanë ardhur në rritje. Në vitin 2024 janë regjistruar gjithsej 24.912 procedime penale, 3,4% më shumë krahasuar me vitin 2023. Nga këto, 36,6% janë pushuar, 26,8% janë pezulluar dhe 36,6% janë dërguar për gjykim.
Numri i të pandehurve ka pësuar një rënie prej 5,7%, duke shënuar 13.167 të pandehur, ndërsa 94,6% e tyre janë meshkuj. Po ashtu, numri i të burgosurve ka pësuar një ulje të konsiderueshme prej 13,1%, duke arritur në 4.491 persona.
Në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, grupmosha 21-29 vjeç ka numrin më të lartë të të burgosurve. Personat nën 20 vjeç dhe mbi 60 vjeç kanë numrin më të ulët të të burgosurve.
Shqetësuese mbetet rritja e numrit të viktimave dhe rasteve që përfundojnë në gjykim. Krimi kundër personit dhe dhuna seksuale janë ndër fenomenet që kërkojnë vëmendje të shtuar në periudhën që vjen.