Gjykata e New York-ut ka shpallur fajtor presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, për shkeljet që lidhen me pagesat e bëra ndaj aktores pornografike Stormy Daniels. Megjithatë, Trump nuk do të përballet me burgim dhe është “liruar” nga çdo dënim. Më 20 janar, kur ai të rikthehet zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë, do të bëhet presidenti i parë amerikan që është shpallur fajtor për një vepër penale.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk ka fuqinë për të anuluar vendimet e një jurie,” deklaroi gjykatësi Juan Merchan.
Gjykata ka dhënë një vendim për “lirimin e pakushtëzuar,” që nënkupton se Trump është shpallur fajtor për të 34 akuzat që rëndojnë mbi të, por nuk do të përballet me ndonjë ndëshkim penal.
Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara kishte refuzuar më parë kërkesën urgjente të presidentit të zgjedhur Trump për të ndalur shpalljen e vendimit. Seanca e sotme, e planifikuar për në orën 15:30 me orën shqiptare, u mbajt në New York. Trump nuk ishte i pranishëm në sallë, por mori pjesë nga distanca përmes një lidhjeje video nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago.
Gjykata e Lartë refuzoi me një votim 5-4 kërkesën e avokatëve të Trump, të cilët argumentonin se ai kishte falsifikuar dokumente financiare për të bërë një pagesë të fshehtë ndaj aktores pornografike në vitin 2016.
“Falënderoj Gjykatën e Lartë për kohën dhe përpjekjet për të korrigjuar këtë padrejtësi të madhe që më është bërë. Për hir të drejtësisë dhe presidencës, unë do ta apeloj këtë vendim dhe jam i bindur se drejtësia do të triumfojë,” deklaroi Donald Trump përmes platformës së tij sociale, Truth.
Ai shtoi: “Kjo gjueti shtrigash kundër meje nuk do të na shpërqendrojë dhe nuk do të ndikojë në përpjekjet tona për të çuar përpara Amerikën.”