Prokuroria e Tiranës ka pushuar pak ditë më parë hetimet ndaj djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja, Rexhep Rraja, i cili po hetohej për kërcënimet e kryera ndaj oficerit të Policisë së Fushë-Krujës, Emilano Nuhu.
Pas hetimeve, organi i akuzës ka arritur në përfundimet se nuk provohet që Nuhu të jetë kërcënuar nga pjesëtarë të fisit Rraja në Fushë-Krujë, për këtë shkak është vendosur të arkivohet dosja e tij duke rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura nga oficeri Nuhu gjatë denoncimit të tij.
Kujtojmë se në muajin korrik të vitit 2018, oficeri i Policisë Emiljano Nuhu denoncoi në komisariatin nr 6 në Tiranë, se ishte kërcënuar nga Redjan e Ramazan Rraja, në një lokal në zonën e Unazës së Re, për të cilët pretendonte se i kishin kërkuar që të hiqte dorë nga çështja e Rexhep Rrajës me të dashurën e tij Xhisiela Maloku.
Sipas policisë nga verifikimi i kamerave të sigurisë të një lokali takimi mes Nuhut dhe personave të akuzuar ishte miqësor dhe nuk provohej që Emiljano Nuhu të ishte kërcënuar.
Oficeri u largua jashtë Shqipërisë, dhe tashmë ka fituar azil politik në Hollandë, ndërsa çështja nuk do të mbyllet këtu.
Kujtojmë se çështja e Xhisiela Malokut u bë e njohur pas denoncimit për ushtrim dhune, nga ana e të dashurit ndaj saj, i cili ishte njëkohësisht edhe djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, Rexhep Rraja.
Discussion about this post