Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë pas pretendimeve se testi i Matematikës për maturantët ka dalë para se të publikohej nga ky institucion ka kërkuar nga Prokuroria të hetojë.
Ministria thotë se testi është publikuar nga deputeti i PD Luciano Boci dhe një qytetar në Facebook.
“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë u informua nga rrjetet sociale dhe mediat on-line lidhur me publikimin e disa fotove nga Testi i Matematikes qe u zhvillua në të gjithë vendin nga ora 10:00 -12:30. Konkretisht nga adresat në Facebook e një qytetari dhe të një deputeti janë postuar, foto te testit te matematikës, ndërsa testimi po zhvillohej në të gjithë vendin”, njoftonte ministria.
Por menjëherë pas këtij reagimi të Ministrisë së Arsimit ka ardhur dhe kundërpërgjigjia e deputetit të PD-së Luçiano Boçi. Përmes një postimi në Facebook, Boçi thotë se ministrja më mirë të kishte heshtur pasi e ka kthyer maturën në mall online dhe për këtë ka përgjegjësi së bashku me kryeministrin.
Postimi i Luçiano Boçit:
Statusi i Bocit:
Ministrja e vënë prej kohësh nën akuzë për grabitjen e të dhënave personale të nxënësve dhe të prindërve për qëllime të ngushta politike, thërret sot në ndihmë prokurorinë për interesa personale.
Në detyrën si ligjvënës ne mbrojmë interesin publik dhe qytetar dhe interesi i fëmijëve tanë është interesi më i lartë.
Në emër të tij ne kemi denoncuar dhe do të denoncojmë publikisht çdo rast abuzimi, shkelje të ligjit dhe shpërfillje ndaj mundit, sakrificës dhe djersës së tyre.
Ministrja e di mirë se është ajo vetë përgjegjësja kryesore si titullare e institucionit, e daljes dhe qarkullimit të testeve të maturës shtetërore.
Ministrja mban përgjegjësi të plotë ligjore që testi u fotografua në sallë dhe u shpërnda nëpërmjet telefonit,
te ndaluar sipas ligjit.
Ministrja e di mirë se ështē ajo përgjegjësja që ka degraduar Maturën në mall online dhe ka shkelur me këmbë punën disa vjeçare të nxënësve e prindërve.
Është ajo që trafikon testet e maturantëve për të mbuluar shkatërrimin që ka mbjellë në arsim.
Është ajo që e ka shndërruar arsimin në një magazinë pa inventar nxënësish, ku nuk fiton më i miri, më i përgaturi, por më i shkathti e i shpejti.
Është ajo dhe Rama i saj që tallen çdo ditë me maturantët, rininë e prindërit e tyre, me të ardhmen e shpresën e tyre.
Përgjegjësit ligjorë dhe moralë të kësaj katrahure janë Rama dhe Nikolla.
Më mirë të kishe heshtur zonja Ministre!
Dita e gjykimit po afron….!