Ish deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka reaguar për rastin e Manjola Cakonit duke thënë se qeveria i nisi lëvizjet menjëherë pas denoncimit dhe i kanë premtuar shtëpi, së bashku me pensionin. Këtë e deklaroi në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, por shtoi se ende nuk ka asgjë të sigurt.
“Pasi kemi shkuar ne tek Manjola Cakoni nga qeveria kanë shkuar dhe i kanë premtuar se do i bënin kontratën e shtëpisë dhe do i jepnin pensionin. Kjo nuk është përfundimtare, por duhet se qeveria ka nisur lëvizjet, pas denoncimit tonë. Ne do jemi krah kësaj familje dhe do e ndjekim rastin deri në fund”, u shpreh Duma.
Pak para ish-deputetes, për këtë denoncim foli edhe kryeministri Edi Rama duke mohuar të ketë ndodhur një gjë e tillë duke shtuar se kjo gjë vërtetohet me fakte dhe sipas tij ai nuk i ka braktisur, por PD po përdor dhimbjen për të manipuluar njerëzit.
“Jam i keq ardhur me hijeno-politikën në tërësi dhe me hijeno-politikën e PD në veçanti që nuk le rast pa u përpjekur të keqpërdor dhimbjen dhe fatkeqësinë njerëzore dhe po peshkon në turbullirën që tenton të krijojë, duke manipuluar ndjenjën njerëzore. Komentet duhet të bazohen mbi faktet. Mund ti marrë, ti shohë, ti verifikojë, dhe do të shohë që unë nuk e kam braktisur atë familje. Por nëse ato që humbën nuk ua kthej dot, do t’i kthej në një jetë të re, me kushte që as nuk i kishin, as nuk do t’i kishin pasur nëse tragjedia nuk do të kishte ndodhur”, tha Rama.
Ditën e djeshme, Faxweb.al publikoi bisedën e Grida Dumës me Manjola Cakonin,, e cila disa ditë më parë denoncoi në media faktin se nuk i ka kaluar pension pas tërmetit ku humbi vajzën dhe bashkëshortin e saj.
Sipas dëshmisë së Cakonit ajo ka përfunduar në spital për shkak të presioneve, ndërkohë që vetë Edi Rama e ka telefonuar dhe e ka kèrcënuar.
Pas lënies të spitalit ajo është shprehur mes të tjerave: “Shkova në spital. Rrugës kur po vija nga spitali, më merr në telefon dikush nga kryeministria. Përgjigjet mami im, se unë isha e sëmurë dhe i thotë:” Turp të ketë Manjola!” “Turp të ketë Manjola!” Unë nuk besoj se kam bërë ndonjë turp. Kam kërkuar të drejtën time dhe për fëmijën tim. Asnjë gjë tjetër s’dua. Vetëm dua të drejtën time, për vete dhe për fëmijën tim dhe kaq.
Ai i kishte thënë: “Edi jam. Edi Rama jam. ”Turp të ketë Manjola për atë që ka bërë sot. ”Unë isha e sëmurë isha me serum, isha shumë keq. Se po të isha në rregull do t’i thoja: Unë nuk kam bërë ndonjë turp, turp ke bërë ti, që më le mua më çove deri në këtë pikë. Sa të arrijë edhe të shkoj në spital. Ndoshta do që të vdes dhe unë dhe të bëhemi tre viktima tamam edhe t’i japësh lekë djalit tim. Kaq kisha”.(A.M/Faxweb.al)