Reagon deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj pas skandalit publikuar nga emisioni ”Stop” në TV Klan.
”Qeveria nuk e do mësuesin e ndershëm, sepse adhuron padijen e një populli që mund ta nënshtrojë.
Kjo është e vërteta lakuriqe e gjendjes së sistemit arsimor në Shqipëri. Drejtorë ZAsh që marrin para për të punësuar mësues. Shkolla të shkatërruara. Kryetarë bashkish e partish që bëjnë emërime në arsim.”, thotë Mehmetaj.
Deputetja komenton rastin e mësueses në Gramsh duke argumentuar se nuk është një ngjarje e izoluar.
”Çdo ditë takojmë mësues të ndershëm të larguar nga puna pse nuk i japin rryshfetin eprorëve. Çdo ditë takojmë prindër të tmerruar nga shkollat, mësuesit e librat e fëmijëve të tyre. Çdo ditë jemi dëshmitarë të zellit që qeveria ka për të zhbërë edhe atë pak që ka mbetur cilësore në shkollat e Shqipërisë.
Sot arsimi është në ditën më të keqe:
- Rreth 15.000 fëmijë të moshës shkollore janë jashtë saj;
- Rreth 64.000 të rritur janë analfabetë;
- Fëmijët romë kanë mbetur më pas në arritjet shkollore;
- Gjysma e shkollave nuk kanë mjedise bazë të përshtatshme;
- Një në çdo katër mësues nuk është i kualifikuar;
- Rezultatet e PISA për fëmijët në arsimin e mesëm janë ndër më të ulëtit në vendet e OECD-së;
Por kryeministri dhe qeveria nuk kanë kohë të merret me arsimin, koha e tyre është shumë e zënë me pazaret e drogës dhe shpërblimet ndaj oligarkëve.”, përfundon Mehmetaj.
Siç tregojnë pamjet filmike të emisionit ”Stop”, një mësuese shkarkohet nga puna. (V.G/SHUPLAKA)