Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin e Komisionit Evropian për rrëzimin e kërkesës së Holandës për rivendosjen e vizave për shqiptarët. Rama shprehet se vizat nuk do të rikthehen pasi Shqipëria nuk ka shkelur asnjë kriter.
Reagimi i Ramës:
Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Europian e refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter
Mësohet se Komisioni është shprehur se pas vlerësimit të situatës aktuale të Shqipërisë, nuk plotësohen mekanizmat për pezullimin e vizave.
“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe pë rvendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, citohet nga mediat një zëdhënës i KE.
“Parlamenti i Holandës, në datën 12 të muajit qershor, miratoi një mocion ku i kërkonte qeverisë të mos pranojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Një vendim nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, që në datën 18 qershor të hapen negociatat e pranimit do të ishte i parakohshëm”, do të njoftonte ambasada holandeze me 12 qershor, kur u zyrtarizua dhe kërkesa.
Nëse kërkesa e Holandës do të miratohej atëherë pezullimi i lëvizjes së lirë do të bëhej për një afat prej 9 muajsh dhe gjatë kësaj periudhe Komisioni do të “krijojë një dialog të zgjeruar me shtetin e tretë në fjalë, me qëllim që të korrigjojë rrethanat në fjalë”.
Discussion about this post