Pas protestës së opozitës ditën e sotme policia ka nxjerrë një deklaratë e cila përshkruan incidentet dhe problemet që ndodhën.
Sipas deklaratës së policisë pati disa raste të paprecedenta, raste këto të paparalajmëruara nga vetë organizatorët. Tubimi përpara Kuvendit të Shqipërisë ishte i paligjshëm sepse nuk ishte bërë një kërkese për zhvendosje të protestës nga organizatorët. Por ajo që ka përkeqsuar situatën kanë qënë incidentet e krijuara nga protestuesit të cilët janë munduar të çajnë kordonin e policisë.
Mbi punonjësit e policisë është ushtruar dhunë, janë hedhur gur dhe mjete të forta. Gjatë protestës kanë mbetur të lënduar 3 policë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndër të tjera në përmendet gjithashtu se Policia e Shtetit ka ngritur një grup hetimor për të bërë identifikimin e personave që kanë inicjuar dhunën.Në fund të deklaratës përmendet gatishmëria e plotë e policisë për një tjetër protestë, por kjo një protestë paqësore.
Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:
Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Edhe mes tubuesve pati të lënduar, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës, të përdorur nga Policia për të prapsur turmat e dhunshme.
Menjëherë pas mbylljes së tubimit, në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune.
Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan në menaxhimin e tubimit vepruan me përgjegjësi të lartë dhe profesionalizëm, në përputhje me ligjin, duke garantuar ruajtjen e rendit e sigurisë publike si dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar të sigurojë zhvillimin e çdo tubimi paqësor, duke garantuar në çdo rast, sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
(s.a/faxweb.al)