Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me deklaratat e Metës në lidhje me qeverinë teknike. Ai është shprehur i gatshëm për t’u ulur në dialog qoftë edhe te çadra e Partisë Demokratike.
Po ashtu Rama duke iu referuar Kushtetutës është shprehur se është shumë e qartë që zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor.
Rama nuk ka harruar të përmend të gjitha arritjet e këtyre katër viteve të ndërmarra nga qeveria nën drejtimin e tij.
Po ashtu pak më parë nga çadra e opozitës ka reaguar edhe Basha i cili e vlerësoi rolin dhe angazhimin e Metës në rast se do të ishte i sinqertë. Po lideri i opozitës tha se ata nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre për qeveri teknike.
SHKRIMI I RAMËS: SHËNIMI I DITËS
E vlerësoj përpjekjen e bashkëkryetarit të koalicionit qeverisës, Ilir Meta, për të kërkuar një zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike.
Edhe unë kam qënë dhe mbetem i gatshëm per cdo zgjidhje që i’a lehtëson Partisë Demokratike rrugën për t’u kthyer në Kuvend; votuar Vetingun; vazhduar betejën e vet politike në shinat e Kushtetutës e të ligjshmërisë dhe garantuar bashkë me ne, që zgjedhjet e 18 qershorit të jenë më të lirat e më të ndershmet të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri.
Qeveria jonë është angazhuar në një rrugë reformash tërësore. Kemi vendosur një bazë ligjshmërie për të bërë shtet, në vend të rrëmujes së paligjshmërisë pa shtet. Kemi rikthyer rritjen e qendrueshme ekonomike, në vend të batakut të një ekonomie të zhytur në borxhe paralizuese e korrupsion mbytës. Dhe as do te kthehemi mbrapa, as do të ndalemi në rrugën që na ka përcaktuar mandati i popullit, pse një pakicë ka frikë nga Vetingu dhe nga gjykimi i popullit në zgjedhje!
Nëse Partia Demokratike kërkon një diskutim serioz me ne, jam i gatshëm të ulemi për të diskutuar, që sot, edhe në çadër po të jetë nevoja. Dialogu ka qenë e mbetet gjithnjë zgjedhja ime e parë dhe unë kam qenë e jam i hapur për cdo kërkesë apo zgjidhje, që nuk cënon Kushtetutën e nuk i bie ndesh standarteve demokratike.
Kushtetuta jonë është shumë e qartë – zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor.
Kushtetuta është shumë e qartë – qeveria është vullnet i shumicës.
Nëse biem të gjithë dakord me Kushtetutën, unë jam i bindur se mund të biem dakord për gjithcka tjetër. (E.K/SHUPLAKA)