Klubi i Skënderbeut ka reaguar në lidhje me vendimin e komisioni të etikës për të dënuar me heqje titulli ekipin korçar.
Në reagim thuhet se ky akt është i paprecedentë pasi sipas tyre vendimi për dënimin është marrë jo duke u bazuar në prova.
Klubi thotë se vendimi do të ankimohet dhe çështja do të ndiqet deri në fund.
Ndërkohë, klubi ka sulmuar dhe federatën shqiptare të futbollit duke e konsideruar të lidhur me krimin.
REAGIMI I PLOTË:
Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ bën me dije tifozërine Korçare dhe opinionin sportiv se, menjëherë pas vendimmarrjes së Komisionit të Etikës të FSHF, është kërkuar zyrtarisht argumentimi i vendimit, si hapi proçedurial paraprak për ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS-TAS).
Vendimi i ditës së sotme nga ky pseudo-organ juridik është një akt i papreçedent, i denjë për katedrat e universiteteve të drejtësisë. Vetëm një organ i FSHF mund të transformonte një vendim administrativ në një vendim disiplinor, pa pasur qoftë edhe një provë të vetme të drejtpërdrejtë apo indirekte mbi të akuzuarin. Vetëm një organ i FSHF mund të proçedonte ndaj një subjekti pa i komunikuar atij akuzën, provat mbi te cilat ajo mbështetej apo subjektin akuzues. Vetëm Komisioni i Etikës i Federates Shqiptare të Krimit në Sportin e Futbollit mund të jepte një vendim ku vërtetësia e fakteve nuk ka asnjë relevancë.
Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ siguron tifozërinë Korçare se ky cënim dhe kërcënim që na është bërë sot nga ana e Komisionit të Etikes, veçanerisht me heqjen e një titulli kampion të cilën vetë UEFA e ka konsideruar mëse të merituar, do të ankimohet në çdo gërmë të tij, pasi jemi të sigurt në pafajësinë tonë të pakundërshtueshme.
Falenderojmë sportdashësit dhe komunitetin të cilin e kemi përfaqësuar dënjësisht gjatë kësaj dekade për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar. Të sigurt, vazhdojmë përpara për të rishkruar çdo vit historinë e futbollit Shqiptar! (B.H/Shuplaka)