Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar gjatë një inspektimi lidhur me situatën politike në vend, konkretisht për kërkesën e Partisë Demokratike për qeveri teknike.
Ai inspektoi punimet për shkollën e re “Hoxha Tahsin”, ku vlerësoi trefishimin e kapaciteteve, infrsastrukturën arsimore dhe cilësinë e mësimdhënies që do të ketë kjo shkollë.
Duke u ndalur tek kërkesat e opozitës, ai u shpreh se ata që kërkojnë qeveri teknike, nuk bënë asgjë për Tiranën, ndaj kërkoi që të mos humbet kohë duke u marrë me llogje, por të ketë fokusim tek puna.
“Për të gjithë ata që sot kërkojnë qeveri teknike apo pushtet në tavolinë duhet të kujtojnë që deri dje e kishin Tiranën, mund t’i kishin bërë të gjithë këto shkolla, të gjitha këto punë. Ndaj, është shumë e rëndësishme të mos humbasim më kohë, mos merremi më me llogje dhe me fjalë, të fokusohemi te puna. Kush sot angazhohet në jetë publike e ka pas edhe shansin të tregojë çfarë pune di të bëjë.
Ndaj unë besoj se njerëzit gjithmonë e më shumë, edhe në datën 18 qershor, por edhe në bisedat e përgjithshme, po vlerësojnë më shumë punën, një qeveri dhe një bashki që është e fokusuar te puna, sesa llogjet, çadrat edhe fjalët që s’kanë fund e as bereqet”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.
(XH.A/SHUPLAKA)