Real Madridi duket se nuk ngopet kurrë dhe zërat e orëve të fundit tregojnë se milionat e shpenzuara deri tani në merkato nuk e trembin aspak klubin “blanco” kur bëhet fjalë për Rodri Hernandezin, që po i ndez dëshirën. Sipas asaj që raporton “The Sun”, klubi i drejtuar nga Florentino Perez është i gatshëm të ofrojë plot 115 milionë euro për të transferuar dirigjentin spanjoll të Manchester City-t dhe fituesin e fundit të Topit të Artë.
Sipas tabloidit britanik, Real Madridi është i gatshëm të shfaqet me një “valixhe plot para” për të blerë pjesën që e konsideron thelbësore për mesfushën. Rodri është një element kyç në skuadrën e Pep Guardiolës, që nuk ka aspak ndërmend ta lërë të largohet. Megjithatë, kontrata e tij skadon në qershor 2027 dhe në Spanjë besojnë se Real Madridi mund edhe të presë deri vitin tjetër për ta marrë me një çmim më të ulët, për shkak të afërsisë me skadencën e kontratës.
Megjithatë tratativa duket më shumë se sa e vështirë për ekipin mbretëror. Kjo pasi sa kohë tek Citizens në stol i ulur është tekniku Pep Guardiola, Rodri vështirë se mund të largohet. Pavarësisht dëmtimit të tij të rëndë, Guardiola e vlerëson mesfushorin spanjoll të pashitshëm, pasi ai është elementi kyç në në repartin e mesit të fushës për ekipin e tij. Një futbollist nga këmbët e të cilit rinisin aksionet e ekipit dhe mbi të gjitha një futbollist me shumë vizion në konceptimin e lojës, elemente të cilat janë shumë të vështira ti gjesh në futbollistë të tjerë aktualisht.
Megjithatë Real Madrid qëndron në dritare. “Los Blancos” kanë treguar se kur e dëshirojnë një futbollist bëjnë gjithçka për ta afruar në gjirin e tyre, ndaj Manchester City në këtë pikë është e paralajmëruar.