Realit të Madridit nuk i del ende e keqja me shortin e Ligës së Kampioneve. Ndryshimi i rivalit nga Benfika te Paris SG-ja i ka lënë shumë të pakënaqur në Madrid. Madje, te Reali janë ndier të fyer nga UEFA.
Klubi spanjoll ka reklamuar pranë UEFA-s hedhjen për herë të dytë të shortit. Në justifikimin e vet Reali ka bërë me dije se çifti Benfika-Real i hedhur në shortin e parë nuk duhej të ndryshohej, pasi nuk ndikonte aspak në çiftet e tjera të dala nga shorti.
Por një gjë e tillë nuk është marrë parasysh nga UEFA, që ka vendosur ta bëjë “nul” shortin e parë dhe të hedhë gjithçka nga e para.
Më pas historia është ajo që dihet, me Realin që do të përplasë “brirët” me Paris SG-në, skuadrën më të fortë të mundshme nga ato të renditura në vendin e dytë në fazën në grupe.
Te Reali bëjnë fajtor presidentin e UEFA-s, Ceferinin. Madje, ato flasin për një luftë të hapur mes tij dhe klubit rekordmen të titujve në Champions.
Sipas televizionit zyrtar të Realit të Madridit “Real Madrid TV”, ka qenë vetë presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, që ka urdhëruar përsëritjen e shortit të 1/8 e finaleve.
Akuzat e organit zyrtar mediatik të Realit kanë qenë tepër të rënda, duke e etiketuar qeverinë europiane të futbollit si një regjim. “Ndryshon shumë filmi, por ajo që nuk ndryshon është paturpësia e UEFA-s. Këtu nuk po flasim për faktin që Ceferin i ka lënë dorë të lirë klubeveshtete apo dopingut financiar. Ajo që shqetëson më shumë është drejtimi i UEFA-s prej tij. UEFA është kthyer në një regjim absolutisht diktatorial”, ka qenë komenti i gazetarit të “Real Madrid TV”, Hezus Alkaide.
KROS: PSG e fortë, por i kalojmë – Mesfushori i Realit të Madridit, Toni Kros, ka qenë lojtari i parë i klubit spanjoll që ka reaguar për shortin e hedhur të hënën në Nion, që e ka vënë Realin përballë Paris SG-së. Mesfushori gjerman ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të dhënë mendimin e tij për shortin, duke vlerësuar jo pak ekipin e drejtuar nga Poçetino. Por ai ka qenë i prerë duke theksuar se Madridi di si t’i bëjë mirë detyrat në këtë kompeticion.
“Përballë do të kemi një rival shumë interesant Mendoj se nga pesë rivalët e mundshëm me të cilët mund të përballeshim, në short na ka rënë më i forti. Megjithatë, ne jemi Reali dhe nuk i trembemi askujt, ne jemi bërë për të luajtur ndeshje të tilla. Gjithnjë kemi treguar se në Ligën e Kampioneve dimë t’i bëjmë mirë detyrat tona.
Është një kompeticion ku del grinta e Realit. Të shohim se çfarë do të ndodhë, por rëndësi ka që të mbërrijmë në formën më të mirë të mundshme”, ka thënë Toni Kros.
Kros ka komentuar dhe gafën e UEFA-s me shortin, por duke mos i mëshuar shumë polemikave. “Nuk jam i duhuri për të folur për këtë çështje, por do të uroja të mos kemi të tjera surpriza si kjo. Gjëja më e rëndësishme është ta mbyllim këtë histori dhe të mendojmë për kampionatin. Për Ligën e Kampioneve do të flasim kur t’i vijë dita”, ka thënë Kros.